Skandal në Britani! Ndihmësi i kryeministrit kapet duke përdorur ChatGPT për të shkruar fjalimin politik
Përdorimi i inteligjencës artificiale në politikë ka shkaktuar polemika në Britaninë e Madhe, pasi një ndihmës i kryeministrit Andy Burnham është fotografuar duke përdorur ChatGPT për të përpunuar një fjalim politik.
Pamjet, të regjistruara gjatë një udhëtimi me tren nga Londra drejt Uellsit, tregojnë se platforma nuk po përdorej vetëm për korrigjime gjuhësore, por edhe për t’i dhënë mesazhit një ngarkesë më emocionale.
Ndihmësi dyshohet se i kërkoi inteligjencës artificiale të përmirësonte pjesën e fjalimit që trajtonte trashëgiminë politike të ish-kryeministres Margaret Thatcher dhe pasojat e mbylljes së minierave e fabrikave në komunitetet britanike.
Sipas “Daily Mail”, ChatGPT sugjeroi që fjalimi të përfshinte jo vetëm humbjen e vendeve të punës, por edhe ndikimin në jetën sociale të komuniteteve, duke përmendur klubet e punëtorëve, ekipet sportive, koret dhe sindikatat.
Referenca të ngjashme u përdorën edhe në fjalimin që Burnham mbajti të shtunën, më 14 nëntor, ku kritikoi politikat e qeverisë Thatcher gjatë viteve 1980.
Zbulimi solli edhe reagimin e Lee Anderson nga partia Reform UK, i cili ironizoi përdorimin e ChatGPT dhe e lidhi atë me paaftësinë e qeverisë për të përballuar krizën e kostos së jetesës.
Nga ana tjetër, Doëning Street u përpoq të ulte polemikat. Një zëdhënës i kryeministrit deklaroi për “Daily Mail” se Burnham i shkruan vetë shumicën e fjalimeve të tij dhe se edhe në këtë rast kishte ndodhur e njëjta gjë.
Ngjarja vjen në një kohë kur kryeministri po përballet me kundërshtime brenda Partisë Laburiste për ndryshimet e propozuara në sistemin e mirëqenies sociale.




