Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Bolzanos, në Itali, ku një grua rreth 40 vjeçe është gjetur pa shenja jete brenda saunës së një pishine publike.

Ka qenë një punonjës i kompleksit që ka zbuluar trupin e pajetë të gruas, gjatë kontrollit rutinë të ambienteve. Ai ka hapur derën e saunës dhe e ka gjetur atë të shtrirë në dysheme, në një ambient të mbushur me avull.

Menjëherë janë njoftuar shërbimet e emergjencës, ndërsa ekipet mjekësore kanë ndërhyrë për t’i dhënë ndihmën e parë dhe për ta reanimuar. Megjithatë, të gjitha përpjekjet kanë rezultuar të pasuksesshme.

Ngjarja ndodhi të premten, më 13 nëntor, në pishinën publike “Karl Dibiasi”, në rrugën Trieste. Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat, ndërsa Prokuroria ka urdhëruar autopsinë për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Një nga pistat paraprake është ajo e vdekjes për shkaqe natyrale, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Ndërkohë, pavarësisht ngjarjes tragjike, aktiviteti në pishinën publike ka vijuar normalisht.