Elton Dusha / Komisioni Europian grindet me veten

Nga Elton Dusha

Marre nga substack

Më parë kam shkruar se qasja e BE-së ndaj Shqipërisë është ndërtuar mbi një model të gabuar. BE ngul këmbë se problemi i korrupsionit zgjidhet me më shumë staf dhe ligje, ndërkohë që në Shqipëri korrupsioni është parimi organizues i koalicionit qeveritar. Raporti i fundit i Komisionit për Shqipërinë e konfirmon këtë diagnozë. Vetë raporti është në kontradiktë me veten: përmbledhja e paraqet Shqipërinë si vend që ka bërë “progres të mirë” në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar, fushat që kanë më shumë peshë për anëtarësimin, ndërsa materiali i raportit përshkruan dështime serioze pikërisht në këto fusha. Nëse lexoni përmbledhjen, mund të gënjeheni e të mendoni se Shqipëria është rrugës për në BE. Nëse lexoni materialin e detajuar, mund të alarmoheni. Kjo na çon drejt asaj që mund të quhet qeverisje me xixa: përvetësimi i formës së një shteti funksional, ligje, strategji e kapituj të mbyllur, ndërkohë që asgjë nuk e kërcënon realisht kontrollin e plotë të koalicionit qeveritar mbi aparatin shtetëror. Akademikët e quajnë mimikë izomorfike (hajde emër, hajde!), por mua më pëlqen më shumë qeverisje me xixa. I rri Shqipërisë si e qepur me porosi: parë nga jashtë, duket sikur po bën gjithçka siç duhet. Kushdo që ka jetuar këtu më shumë se dy minuta e kupton menjëherë që përbrenda është kalbur.

As në çështjet ekonomike nuk përkon përmbledhja me detajet. Përmbledhja i jep Shqipërisë “një nivel të mirë përgatitjeje në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale”. Por materiali i detajuar tregon se ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe shërbimet publike ishin kontribuesit kryesorë të rritjes në 2025, ndërsa bujqësia dhe prodhimi industrial u tkurrën, dhe pasuritë e paluajtshme mbeten marrësi më i madh i investimeve të huaja. Banka e Shqipërisë bleu rreth 630 milionë euro (4% e PBB-së) për të frenuar mbiçmimin e lekut, më kot. Eksportet e prodhimit ranë për të tretin vit radhazi, informaliteti zë një të tretën e PBB-së dhe Paqja Fiskale fal pjesërisht detyrimet tatimore të viteve 2015–2024, duke ngritur shqetësime për pastrimin e parave. Pyetja është: sa e shëndoshë është një ekonomi tregu, rritja e së cilës mbështetet te prona, monedha e së cilës ngrihet nga hyrje kapitali të cilave banka qendrore duhet t’u kundërvihet, dhe qeveria e së cilës po amniston të ardhura të padeklaruara? Çdo ekonomist që e njeh zanatin, po ta shihte këtë tablo, do të shqetësohej se një korrigjim në tregun e pasurive të paluajtshme mund të ndikojë në stabilitetin e bankave dhe të makroekonomisë. Por ky nuk është konkluzioni i Komisionit.

Protestat meritojnë më shumë peshë sesa u jep raporti. Sipas vetë raportit, lëvizja shpreh “pakënaqësi ndaj qeverisë dhe partisë kryesore të opozitës, duke kërkuar më shumë transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe për mirë-qeverisje”. Por raporti nuk i lidh kurrë kërkesat e sheshit me gjetjet e veta. Protestat i trajton si problem rendi dhe dialogu, kur në fakt janë shenja më e qartë se reformat që po bëhen nuk po japin efekt në jetën e shqiptarëve.

Thirrja për dialog çalon nga e njëjta këmbë. Formula “të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në dialog konstruktiv” nënkupton se në tryezë ulen dy palë të organizuara. Por lëvizja që përshkruan vetë raporti i ka kthyer shpinën si qeverisë, ashtu edhe opozitës, dhe nuk ka udhëheqës. Kur i kërkon lëvizjes të negociojë sikur të ishte parti, Komisioni përsërit refrenin e qeverisë: çfarë duan këta dhe kush i drejton? Kështu, përgjegjësinë për ngërçin ia ngarkon palës që ka më pak pushtet.

Ndoshta unë kam të drejtë dhe ata kanë një model të gabuar për Shqipërinë. Ndoshta po mbajnë një dorë në bakllava dhe tjetrën në revani, duke u përpjekur të arrijnë një farë armëpushimi me qeverinë. Ndoshta kanë në mendje ndonjë plan që parashikon një ulje të butë për disa njerëz të qeverisë, me ndonjë karrige të ngrohtë diku në Europë. Ose ndoshta thjesht mendojnë se kaq kemi mundësi të arrijmë, dhe çfarëdo që të ndodhë e meritojmë. Ose ndoshta ekziston ndonjë mendim i nivelit më të lartë, në të cilin unë nuk kam akses, ndonjë lojë shahu në pesë dimensione. Thjesht nuk e di.

360grade.al

Monarkia e pashpallur e stabilitetit!

Të tjera

Galeria
Rreth nesh

360 grade.al është një portal që synon të sjellë shumë të vërteta të fshehura dhe të anashkaluara në realitetin shqiptar. Simbas parimit se e Vërteta nuk është monopol i askujt dhe se përgjithësisht e drejta është më shumë në Mes, se sa në Skaj.

Duke refuzuar radikalizmin politik, apo atë të qëndrimeve, si një përcjellës të Gënjeshtrës përmes deformimit, Errësirës përmes zhurmës dhe të Antishtetit përmes kauzave të rreme, nga cilido krah ai të paraqitet.

Kontakt

Adresa: Rruga Gjin Bue Shpata,
Njësia Bashkiake Nr.5. Kati i 1.
Tirane, Shqipëri