Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli vret një komandant të Hamasit në Gaza


Izraeli njoftoi të dielën se kishte vrarë një komandant të lartë të Hamasit gjatë një sulmi ajror të kryer gjatë natës në jug të Gazës, vetëm dy muaj pasi ishte vrarë paraardhësi i tij.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) e identifikuan komandantin si Samir Mahmoud Hassan Abu Younis, i cili drejtonte Brigadën e Rafahut të Hamasit dhe, sipas raportimeve, kishte një rol të rëndësishëm në planifikimin e masakrës së 7 tetorit 2023 në Izrael, shkruan Politico.

“Abu Younis u emërua komandant i brigadës rreth dy muaj më parë, pas eliminimit të paraardhësit të tij”, thuhej në një deklaratë të IDF-së të publikuar të dielën në platformën X.

Sipas ushtrisë izraelite, Abu Younis kishte shërbyer më parë si zëvendëskomandant i brigadës dhe kishte drejtuar batalionin e saj në Tel al-Sultan.

IDF-ja e akuzoi atë se kishte drejtuar sulme kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë, si dhe se kishte punuar për të rindërtuar kapacitetet ushtarake të Hamasit.

“Ky terrorist u eliminua për të neutralizuar kërcënimin që përbënte”, deklaroi ushtria.

Në një mesazh të publikuar në Telegram, Brigadat al-Qassam të Hamasit thanë se Abu Younis kishte qenë i përfshirë në “operacione të shumta të rëndësishme” dhe se ishte “një nga komandantët më të rëndësishëm të përfshirë në planifikimin dhe mbikëqyrjen e sulmit të 7 tetorit”.

Abu Younis pasoi Nael Abu Obeid, i cili u vra nga Izraeli më 15 shtator, duke u bërë kështu komandanti i fundit në një seri drejtuesish të Hamasit të vënë në shënjestër nga forcat izraelite.

Vrasja ndodh në kushtet e një armëpushimi të brishtë, që hyri në fuqi në tetor 2025. Ai i dha fund luftimeve të mëdha, por nuk arriti të ndalonte sulmet izraelite në Gaza. Plani më i gjerë i paqes i presidentit amerikan Donald Trump mbetet i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen e Izraelit nga Gaza.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur që Hamasi të dorëzojë armët përpara se trupat izraelite të tërhiqen, duke hedhur poshtë një propozim për zbatimin e një procesi me faza, sipas të cilit të dyja këto hapa do të ndërmerreshin paralelisht.