Tre anije tregtare janë goditur nga dronë pranë brigjeve rumune të Detit të Zi, duke shkaktuar zjarre në bord dhe shqetësim për sigurinë detare në rajon.
Incidentet ndodhën pranë kanalit Sulina, një korridor i rëndësishëm për transportin e mallrave drejt Ukrainës.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa ekuipazhet arritën të vinin nën kontroll flakët.
Autoritetet rumune i kanë cilësuar sulmet si kërcënim serioz për sigurinë dhe kanë kërkuar mbështetjen e aleatëve të NATO-s përmes patrullimeve ajrore dhe pajisjeve për zbulimin dhe neutralizimin e dronëve.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se radarët zbuluan objektiva ajrore në zonë, duke detyruar Forcat Ajrore të angazhonin avionë luftarakë për verifikimin e situatës.
Sulmet e përsëritura kanë shtuar frikën për përshkallëzimin e tensioneve dhe rrezikimin e lundrimit tregtar në Detin e Zi.













