Sport

Kosova në Nations League, llogaritë e ‘Dardanëve’ për të ruajtur vendin e dytë

Kosova barazoi me Izraelin 0-0 në pasditen e së shtunës, ndërsa Austria mundi Irlandën 1-0. Rezultate këto që e mbajnë skuadrën dardane në vendin e dytë në Grupin B3 të Nations League.

Skuadra e Franco Fodës do të mbyllë këtë kompeticion pikërisht me ndeshjen ndaj Irlandës me kombëtaren e Kosovës ku do të vendoset përfundimisht se cila skuadër do të renditet në vendin e dytë.

Klasifikimi sheh Austrinë që e blindoi përfundimisht vendin e parë duke siguruar ngjitjen në Ligën A për edicionin e ardhshëm të Nations League. Kosova është e dyta me 6 pikë dhe Irlanda e treta me 5 pikë dhe pikërisht kjo sfidë mes këtyre dy të fundit është vendimtare.

Për Kosovën, tashmë është e qartë, edhe një barazim do t’i mjaftonte për të ruajtur vendin e dytë pasi do të shkonte në 7 pikë dhe Irlanda në 6. Në një skenar të tillë, skuadra e Franco Fodës do të siguronte pjesëmarrjen në ndeshjet e playoff-it për ngjitjen në Ligën A, pasi qëndrimin në Ligën B e ka të siguruar pas barazimit me Izraelin. Në playoffin për ngjitjen në Ligën A, Kosovës do t’i takonte të luante me një prej skuadrave të vendit të tretë në Ligën A.

Por pozicionimi në vendin e dytë në grup të Nations League ka një rëndësi për Kosovën edhe për kualifikueset e Kampionetit Evropian të 2028, pasi renditja përfundimtare e Nations league ndikon në përcaktimin e vazove për shortin e këtyre kualifikueseve që do të hidhet në 6 dhjetor. Prandaj edhe ndeshja në Dublin merr një peshë të madhe për Kosovën në objektivin e saj për të zënë vendin e dytë në Grupin B3 me ‘Dardanët’ që kanë dy rezultate në dispozicion.

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.