MPB dhe Këshilli i Sigurisë në Komunikacion me aktivitete parandaluese për viktimat në trafik

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në bashkëpunim me Këshillin Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, sot në Parkun e Qytetit në Shkup realizuan një aktivitet të përbashkët edukativo-parandalues, me rastin e Ditës Botërore të Përkujtimit të Viktimave të Aksidenteve në Trafik.
Aktiviteti, me moton “Së bashku, me sjellje të përgjegjshme në trafik, të kontribuojmë për rrugë pa viktima!”, kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes për pjesëmarrje të përgjegjshme në komunikacion, përmirësimin e kulturës së trafikut dhe uljen e numrit të aksidenteve dhe viktimave në rrugë.
Gjatë aktivitetit, qytetarëve iu shpërndanë fletushka me mesazhe parandaluese dhe thirrje për respektimin e rregullave dhe dispozitave të trafikut, si dhe për kujdes ndaj sigurisë personale dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Po ashtu, qytetarëve iu rikujtua se nga 15 nëntori ka hyrë në fuqi obligimi ligjor për posedimin e detyrueshëm të pajisjeve dimërore në automjete.
Drejtuesve të automjeteve iu bë thirrje që shpejtësinë dhe mënyrën e drejtimit t’i përshtatin me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugëve.


































