Shkoi të merrte fëmijët nga kujdestarja dhe gjeti 27 të mitur të braktisur në shtëpi, britanikja dënohet me 2 vite burg*
Një ngjarje tronditëse është zbardhur në Skoci, ku një kujdestare fëmijësh u dënua me dy vite burg pasi kishte lënë të miturit pa mbikëqyrje, ndërsa në një rast në shtëpinë e saj ndodheshin plot 27 fëmijë të braktisur. Ishte një baba, i identifikuar me emrin Angus, ai që zbuloi situatën pasi shkoi të merrte dy djemtë e tij dhe gjeti dhjetëra të mitur pa praninë e asnjë të rrituri.
Amanda Mathewson, 55 vjeçe, nga Dunfermline në Skoci, kishte leje të kujdesej për maksimumi tetë fëmijë njëkohësisht. Megjithatë, hetimet zbuluan se gjatë periudhës 2023-2024 ajo kishte marrë në kujdes më shumë se 50 fëmijë nga mbi 40 familje, duke shkelur vazhdimisht rregullat dhe duke fshehur aktivitetin e saj nga prindërit dhe autoritetet. Ajo pranoi fajësinë për neglizhencë, braktisje dhe ekspozim të fëmijëve ndaj rrezikut, ndërsa më 6 nëntor gjykata e dënoi me dy vite burg.
Angus tregoi për *The Times* se dyshimet nisën kur djali i tij trevjeçar filloi të kundërshtonte vajtjen në shtëpinë e kujdestares. Fëmija i kishte thënë se nuk donte të shkonte më aty, sepse Amanda e vendoste në karrocë dhe e linte në katin e sipërm.
Më 26 gusht 2024, një prind tjetër e telefonoi Angus-in dhe i tha se kishte parë kujdestaren gjatë marrjes së fëmijëve në shkollë, por dy djemtë e tij nuk ishin me të, ndonëse atë ditë duhej të ishin nën kujdesin e saj.
Brenda shtëpisë zbuluan edhe 22 fëmijë të tjerë, të gjithë pa mbikëqyrje. Një vogëlush rreth dy-tre vjeç qante nën tavolinën e kuzhinës, ndërsa në katin e sipërm, dy djemtë e Angus-it ndodheshin në një dhomë me nëntë fëmijë të tjerë nën pesë vjeç. Dy prej tyre ishin të lidhur në karroca.
Sipas rrëfimit të babait, dhoma ishte shumë e nxehtë, me dritaret dhe perdet të mbyllura, ndërsa fëmijët nuk kishin ushqim, ujë, lodra apo aktivitete të tjera. Djali i tij i madh iu hodh në krahë sapo e pa.
“Fillimisht ishte vetëm tronditje dhe mosbesim, por më pas ndjemë një detyrim të jashtëzakonshëm për të vepruar”, rrëfeu ai, duke treguar se bashkë me bashkëshorten u përpoqën t’u siguronin fëmijëve ujë, ushqim dhe ndihmën e nevojshme.
Si i mashtronte prindërit dhe fshihte fëmijët
Sipas hetimeve, Mathewson kishte ndërtuar një mënyrë të organizuar për të fshehur numrin e madh të fëmijëve që mbante në shtëpi. Ajo u kërkonte prindërve t’i dërgonin mesazh përpara se të vinin për të marrë fëmijët dhe caktonte orare të ndryshme për të shmangur takimet mes tyre.
Kur prindërit mbërrinin, fëmijët më të vegjël mbaheshin në katin e sipërm, ndërsa më të rriturit në ambiente të tjera të shtëpisë, me dyer të mbyllura dhe udhëzime që të mos dilnin. Ajo përdorte edhe muzikë me zë të lartë për të mbuluar zhurmat e fëmijëve.
Për më tepër, u zbulua se u dërgonte prindërve fotografi dhe ditarë të rremë, duke krijuar përshtypjen se fëmijët kishin marrë pjesë në aktivitete dhe kishin ngrënë vakte që në të vërtetë nuk i kishin konsumuar. Në një rast, disa fëmijë kishin shkuar në një festë Krishtlindjesh, ndërsa prindërve të atyre që kishin mbetur në shtëpi u ishte dërguar një fotografi e përgjithshme me Babagjyshin, për t’i bërë të besonin se edhe fëmijët e tyre kishin qenë atje.
Gjykata zbuloi se lënia e fëmijëve vetëm nuk ishte një rast i izoluar. Disa prej tyre u kishin treguar prindërve se kjo ndodhte shpesh, kur kujdestarja largohej për të marrë fëmijë nga shkolla apo për të shkuar në aktivitete të tjera.
Në vendimin e saj, gjykata theksoi se Mathewson kishte vepruar në mënyrë të qëllimshme dhe të përsëritur për gati një vit, duke pranuar shumë më tepër fëmijë sesa mund të kujdesej në mënyrë të sigurt.
Gjyqtari John MacRitchie vuri në dukje se fëmijët, përfshirë foshnjat dhe vogëlushët, ishin lënë në një shtëpi pa mbikëqyrje, ku mund të përballeshin me rreziqe serioze, nga mbytja dhe rrëzimet deri te emergjencat mjekësore apo aksidentet në ambientet e banesës.
Mbi 90 deklarata të ndikimit të viktimave u paraqitën në gjykatë. Disa prindër treguan se fëmijët ktheheshin në shtëpi të etur, me pelena të papastra apo me rroba të lagura. Të tjerë rrëfyen se fëmijët kishin përjetuar ankth dhe makthe gjatë natës pas ngjarjes.
Nën hetim edhe mënyra si autoritetet nuk e zbuluan skandalin
Përveç dënimit të kujdestares, rasti ka ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën se si institucionet përgjegjëse për kontrollin e shërbimeve të kujdesit ndaj fëmijëve nuk e zbuluan aktivitetin e saj.
Mathewson ishte regjistruar si kujdestare që prej vitit 2002 dhe kishte marrë vlerësime shumë të mira nga Inspektorati i Kujdesit në Skoci. Në kontrollin e fundit, në gusht 2023, vetëm pak javë përpara periudhës së veprave penale, shërbimi i saj ishte vlerësuar në nivelet më të larta.
Familjet kanë ngritur dyshime se ajo mund të jetë informuar paraprakisht nga një person brenda institucionit për kontrollet dhe ankesat. Në një letër drejtuar prindërve në shkurt 2025, Inspektorati pranoi se Mathewson kishte marrë informacione për ankesat dhe inspektimet nga një burim i brendshëm.
Disa familje po shqyrtojnë mundësinë e një padie civile ndaj institucionit. Ndërkohë, Inspektorati ka deklaruar se ka rishikuar procedurat e inspektimit dhe trajtimit të ankesave, si dhe ka krijuar mënyra të reja për raportimin e shqetësimeve nga prindërit.
Angus, i cili bashkë me bashkëshorten zbuloi skenën tronditëse, thotë se fakti që asnjë prej fëmijëve nuk pësoi një dëmtim katastrofik fizik ishte një mrekulli. Megjithatë, për familjet e prekura, pasojat psikologjike vijojnë edhe pas përfundimit të procesit gjyqësor












