Kosova synon të bëhet anëtare e plotë e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF). Këtë qëndrim e rikonfirmoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Përmes një postimi në platformën X, ai njoftoi se e kishte shprehur këtë synim në Konferencën e 48-të Ministrore të Frankofonisë, që po zhvillohet në Phnom Penh të Kamboxhias. Sipas Konjufcës, Kosova ka gatishmërinë dhe kapacitetin për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë që sjell anëtarësimi.
Të lidhura
None found
Konjufca falënderoi zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Kamboxhias, Prak Sokhonn, për hapjen dhe drejtimin e konferencës. Ai shprehu mirënjohje edhe për mikpritjen e Mbretërisë së Kamboxhias.
Duke folur për thirrjen e Samitit të 20-të të Frankofonisë për riinvestim në paqe, Konjufca tha se ajo ka një peshë të veçantë për Kosovën, e cila e ndërtoi demokracinë pas luftës.
Ai u shpreh se përvoja historike e Kosovës ka ndikuar në përkushtimin e saj ndaj dialogut dhe në bindjen se pajtimi i mirëfilltë kërkon të vërtetën dhe llogaridhënien. Konjufca shtoi se një paqe e qëndrueshme duhet t’u krijojë të rinjve perspektivë për të ardhmen.






