Forumi për Ndryshime në Arsim insiston që Ministria e Arsimit ta harmonizojë shujtën studentore me nivelin e inflacionit vjetor. Ky është obligim ligjor, thotë Blendi Hodai, duke theksuar se nëse do të respektohej ligji, nga 1 janari i vitit 2027 shujta studentore duhet të jetë 172 denarë.

“Prioriteti kryesor i studentëve nga ajo që ne si organizatë jemi në kontakt të përditshëm me ta është respektimi i ligjit për shujtën studentore, që parasheh që Ministria e Arsimit dhe Shkencës ta harmonizojë shumën e shujtës studentore me inflacionin vjetor, gjë që nuk e ka bërë për tre vite me radhë. Sipas ligjit, nga 1 janari i vitit 2027 duhet të jetë 172 denarë në qoftë se do të repektohej ligji dhe ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë se respektim të ligjit.” – u shpreh Blendi Hodai nga Forumi për ndryshime në arsim.
Hodai: Propozimi i Qeverisë, i papranueshëm


Ky Forum nuk pajtohet me propozimin e qeverisë për shujtë studentore prej 4.500 denarësh në muaj dhe përdorimin e një sistemi elektronik për blerjen e ushqimit.

“Është model që do të keqmenaxhojë paratë publike, nëse do të bëhet modeli i tillë nëpërmjet m-shërbimeve, kjo do të detyrojë qeverinë dhe institucionet, respektivisht Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të hap procedurë tenderuese për të angazhuar një kompani të caktuar për ta bërë platformën të m-shërbimeve, që do të kushtojë shumë para të qytetarëve. Ne nuk duam që paratë e qytetarëve të shkojnë dëm, por konsiderojmë që janë të rëndësishme që në vend se paratë të përfundojnë në firmat softerike për një platformë të panevojshme, të njejtat para të shkojnë në xhepin e qytetarëve, respektivisht te studentët përfitues të shujtës studentore.” - deklaroi Blendi Hodai nga Forumi për ndryshime në arsim.

Por, zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, thotë se MASH dhe Qeveria kanë biseduar me organizatat, studentët dhe presin përgjigjen e tyre rreth ofertës së ofruar.
“Kemi propozuar një model edhe e rrisim shumën e shujtës studentore, në këtë rast kemi propozuar një model të ri funskionimi, përmes të cilit ata do të kenë mundësi që ate shumë mujore, të rritur, ta shfrytëzojnë kryesisht për t’u pajisur me ushqime në këtë rast. Modeli i propuzuar është i ngjashëm me modelin e Sllovenisë. Kështu që ne propozimin ua kemi dhënë studentëve dhe jemi dakorduar dhe ata të marrin mendimin e gjithë unioneve dhe pasi ta marrin mendimin e unioneve, të drejtohen deri tek ne me shkrim, që ta marrim edhe përgjigjen e tyre, se a janë dakord me atë të cilën ne e kemi ofruar si zgjidhje.” – tha Zv.Ministri i Arsimit, Driton Sulejmani.

Takimi mes studentëve, kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministres së Arsimit, Vesna Janevska, për shujtën studentore, ditë më parë përfundoi pa rezultate konkrete dhe pa një marrëveshje për rritjen e shumës aktuale prej 140 denarësh.
Qeveria dhe Ministria e Arsimit kanë propozuar një sistem të ri të subvencionimit përmes vauçerëve digjitalë, sipas modelit që zbatohet në Slloveni. Ndërsa ka pasur organizata studentore të cilat kanë kërkuar që shujta studentore të rritet në 200 denarë. /tvm2