Protesta kundër qeverisë vijon për të 169-ën ditë, ndërsa qytetarët këmbëngulin se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara që prej nisjes së qëndresës. Në një prononcim për News24, një prej protestuesve deklaroi se kryeministri Edi Rama është përpjekur që në ditën e parë të zhvendosë vëmendjen nga arsyet që i nxjerrin qytetarët në shesh, duke e orientuar debatin drejt sjelljes së protestuesve.
Sipas tij, Rama po përdor rastet e dhunës të regjistruara gjatë këtyre ditëve për të ndërtuar retorikën e tij dhe për të shmangur diskutimin mbi kërkesat e protestës. Ai theksoi se 169 ditët e qëndresës duhet të përmbyllen me një rezultat konkret kundër qeverisë aktuale, ndërsa çdo mekanizëm që mund të propozohet duhet të marrë parasysh konsensusin e protestuesve dhe qytetarëve në shesh.
Protestuesi u shpreh se, pavarësisht episodeve të dhunës, kauza e tyre ka mbetur e njëjtë, ndërsa akuzoi kryeministrin se gjatë përballjeve me protestuesit ka treguar një anë që, sipas tij, është përpjekur ta fshehë ndër vite.
“Qëndrimi i Ramës që në ditën e parë është munduar të largojë debatin, nga arsyet që na nxjerrin në shesh tek sjellja e qytetarëve. Do të përdorë rastet e dhunës të këtyre ditëve për retorikën e tij.
169 ditë protestë duhet të finalizohet me një produkt kundër kësaj qeverie. Çdo mekanizëm që do të dalë do të marrë parasysh konsensusin e sheshit dhe qytetarëve.
Ne jemi që nga dita e parë me të njëjtat kërkesa, por me rastet e dhunës Ram fitoi urrejtjen e të gjithëve. Gjatë dhunës në protesta, tregoi një anë që është përpjekur ta fshehë gjatë të gjithë këtyre viteve. Doli fytyra e vërtetë e një diktatori. Na quan ANTIFA, kjo i bie që ai është fashisti”, tha ai.
