Mbi 6 mijë shkolla në Itali kanë marrë e-mail kërcënues për vendosje bombash, në atë që ekspertët e cilësojnë si një luftë hibride ndaj vendit.
E ftuar në emisionin ‘Syri i Botës’ në SYRI TV, gazetarja Alba Kepi foli për përshkallëzimin e sulmeve, të cilat kanë nisur me hakërimin e sistemeve të frigoriferëve në supermarkete, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, kanë vijuar me alarme për bombë në aeroportet e Romës dhe Milanos dhe tashmë kanë prekur edhe institucionet arsimore.
Kepi theksoi se kërcënimet me e-mail, të firmosura nga një person që identifikohet si Mikhel Agropov, kanë krijuar një situatë kaotike në shkolla dhe kanë vënë në provë reagimin e institucioneve italiane.
Përballë kësaj situate, kryeministrja Giorgia Meloni ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e qeverisë, opozitës dhe strukturave të sigurisë, ndërsa është hartuar një protokoll i posaçëm për drejtuesit e shkollave, për të përcaktuar mënyrën e reagimit në rast të kërcënimeve të tilla dhe për të shmangur evakuimet e panevojshme.
Pjesë nga intervista:
Bëhet fjalë për atë që ekspertët e quajnë një luftë hibride. Pra, Italia është një pikë e një sulmi, e një lufte të tillë, e cila është baza e një strategjie të autorëve të këtij sulmi, të kësaj lufte, që testojnë se sa të afta janë institucionet italiane, si veprojnë ato në kushte të tilla, në kushte të një alarmi për bombë, në kushte të një hakërimi të adresave institucionale, të adresave e-mail të personave të rëndësishëm të qeverisë, por edhe të dëmit që i bëhet ekonomisë italiane, siç është hakërimi i mijëra frigoriferëve dhe shkatërrimi i tonelatave e tonelatave të ushqimeve.
Në fakt, kanë ardhur duke u shtuar këto sulme. Të paktën fillimisht ishte sulmi apo hakërimi i frigoriferëve, më pas alarmet për bombë në aeroportet e Romës dhe Milanos, dhe më vonë këto alarme për bombë arritën edhe në shkolla.
Të paktën janë regjistruar mbi 6 mijë shkolla që kanë marrë e-mail të firmosur nga një personazh, i cili vetë quhet Mikhel Agropov. Bëhet fjalë për një e-mail mjaft të frikshëm. Edhe në ditën e sotme është shpërndarë një e-mail i tillë në disa shkolla, ku thuhet se kanë vendosur bombë në atë institucion shkollor dhe se, nëse nuk largohen menjëherë, ajo do të shpërthejë me telekomandë. Madje, shkohet edhe më tej, duke thënë se kjo bombë është vendosur edhe në automjetin e kryeministres Giorgia Meloni.
Të gjitha këto kanë bërë që të kemi një reagim të kryeministres Meloni, me një videomesazh drejtuar italianëve, sidomos në atë ditë mjaft të komplikuar edhe për sigurinë. Pasi mund ta imagjinoni, 6 mijë alarme në shkolla do të thonë jo vetëm evakuimin e tyre, por edhe vendosjen në një perimetër sigurie të të gjithë zonës ku është dhënë alarmi për bombë. Imagjinoni, në 6 mijë shkolla, nga 7 mijë e 400 që ka Italia në nivel kombëtar.
Një terror dhe një situatë kaotike, gjë që e detyroi Melonin të bënte një videomesazh, ku thoshte se nuk do të jetë një e-mail ai që mund të orientojë kalendarin shkollor të fëmijëve tanë, dhe bëri thirrje që të ruhet qetësia në një situatë të tillë. Por, mbi të gjitha, kërkoi impenjim në nivel të lartë, duke thirrur edhe liderët dhe përfaqësuesit e forcave politike opozitare. Aty kuptohet edhe niveli i lartë që ka kjo çështje, e cila ka përfshirë qeverinë italiane. Më pas, u bë hartimi i një protokolli enkas për mënyrën se si duhet të silleshin drejtorët dhe drejtuesit e shkollave në rast se vjen një e-mail i tillë.
Pasi një alarm është vendosur në 6 mijë shkolla, kanë qenë mjaft drejtorë shkollash të cilët kanë marrë përgjegjësinë e tyre personale, duke mos bërë evakuimin e shkollave, pasi e kanë konsideruar situatën jo të rrezikshme.
Kjo e ka detyruar qeverinë, në bashkëpunim me forcat opozitare dhe me të gjithë ata që janë aktorë dhe ekspertë, përgjegjësit e rendit dhe të sigurisë kombëtare, flas për agjencitë sekrete dhe gjithçka që është hallkë e zinxhirit të kësaj fushe, të hartojnë një protokoll enkas për këtë qasje. Ky protokoll orienton drejtorët e shkollave se si duhet të sillen në rast se do të paraqitet një sulm i tillë, qoftë nëpërmjet e-mailit, qoftë edhe kur vjen një telefonatë se është vendosur një bombë.
© SYRI.net
Trazira në Spanjë, qindra protestues kërkojnë lirimin e katër të arrestuarve pas përleshjeve në Barcelonë
Operacion i madh ushtarak në Nigeri, vriten 8 terroristë dhe shpëtohen 125 pengje, mes tyre gra e fëmijë