• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, November 15, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

Të përjashtuara nga talibanët, vajzat dhe gratë afgane po mbeten pa shkollim edhe në Iran e Pakistan

by A R
15/11/2026 19:34
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Zahra ishte vetëm disa muaj larg përfundimit të studimeve për mjekësi në Kabul, kur autoritetet talibane të Afganistanit ua ndaluan grave vijimin e studimeve universitare. Familja e saj u zhvendos në Iran, në mënyrë që Zahra dhe motra e saj të mund t’i vazhdonin studimet, por, katër vjet më vonë, të dyja janë përjashtuar nga sistemi arsimor.

“Viza jonë skadoi shpejt dhe, pa leje qëndrimi të ligjshme, na u mohua e drejta për të studiuar”, tha ajo. Emri i vërtetë i Zahrës, ashtu si edhe emrat e grave të tjera afgane të përmendura në këtë artikull, nuk është bërë publik për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tyre.

“Kudo që aplikuam për të ndjekur arsimin në Iran, nuk morëm asnjë përgjigje pozitive”, i tha ajo Radios Evropa e Lirë përmes telefonit nga Teherani. “Nuk jam vetëm unë. Shumë vajza afgane këtu po përballen me të njëjtat probleme”.

Të përjashtuara nga shkollimi i mesëm dhe universitetet në vendin e tyre, qindra vajza si Zahra, të cilat u larguan drejt Iranit dhe Pakistanit fqinj për të vazhduar mësimin, po përballen gjithnjë e më shumë me pengesa edhe atje, pasi Teherani dhe Islamabadi po ashpërsojnë rregullat e qëndrimit dhe po dëbojnë një numër të madh afganësh.

Dyert e mbyllura në vendin e tyre

Talibanët pezulluan arsimimin e vajzave përtej klasës së gjashtë në mars të vitit 2022 dhe në dhjetor të po atij viti ua ndaluan grave studimet universitare. Në dhjetor të vitit 2024, grave iu ndalua edhe ndjekja e kurseve të trajnimit mjekësor.

Organizata e Kombeve të Bashkuara tha në gusht se rreth 2.4 milionë vajza në Afganistan janë privuar nga arsimi i mesëm që kur grupi ultrakonservator u rikthye në pushtet, në gusht të vitit 2021.

Ajo shtoi se Afganistani është i vetmi vend ku vajzave dhe grave u ndalohet zyrtarisht arsimi i mesëm dhe i lartë.

Roya, një tjetër grua afgane që jeton në Teheran, thotë se u largua nga vendi i saj rreth katër vjet më parë, sepse nuk donte të hiqte dorë nga arsimimi.

“Gjithmonë kam dashur të studioj, të marr një diplomë masteri dhe të bëj diçka me jetën time. Kjo ishte arsyeja pse u largova nga vendi im”, i tha Roya Radios Evropa e Lirë.

Ajo aplikoi në disa universitete iraniane për një program masteri. Pavarësisht se kishte një diplomë bachelor, aplikimi i saj u refuzua, sepse nuk kishte leje të ligjshme qëndrimi.

Të dyja gratë thonë se jetojnë çdo ditë me rrezikun e dëbimit. Rreth 1.9 milion afganë u kthyen nga Irani në vitin 2025, përfshirë 1.26 milionë që u dëbuan.

Numri i afganëve të dëbuar nga Irani vazhdoi të rritet edhe në vitin 2026. Sipas shifrave të cituara nga Kombet e Bashkuara, deri më 12 tetor ishin dëbuar afro 492.300 persona.

Në mars të vitit 2025, skaduan fletëregjistrimet që u kishin siguruar status të përkohshëm ligjor rreth dy milionë afganëve në Iran.

Nga 21 marsi 2025, autoritetet iraniane kufizuan qasjen në shërbime për të huajt që nuk posedonin dokumente të vlefshme qëndrimi, përfshirë edhe qasjen në arsim.

Zyrtarët iranianë thonë se dyert nuk janë mbyllur plotësisht.

Nader Yarahmadi, drejtues i Qendrës për Shtetasit e Huaj dhe Emigrantët në Ministrinë e Brendshme, i tha agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim më 27 shtator se fëmijët afganë mund të ndjekin shkollën edhe pa dokumente, nëse prindërit e tyre kanë leje të vlefshme qëndrimi. Dokumentacioni mund të plotësohet gjatë vitit shkollor, tha ai.

Edhe gazeta iraniane në gjuhën angleze, Tehran Times, ka raportuar se fëmijët afganë mund të studiojnë së bashku me nxënësit iranianë pa paguar tarifa shtesë shkollimi.

Megjithatë, rregullat janë të rrepta. Shtetasit e huaj duhet të kenë dokumente të vlefshme qëndrimi, të regjistrohen në shkollat e zonës ku janë të regjistruar dhe të pajisen me letra rekomandimi nga agjencitë përgjegjëse për migrantët, sipas Ministrisë së Arsimit të Iranit.

Shumë afganë që kanë hyrë në Iran vitet e fundit kanë viza të skaduara dhe thonë se sigurimi i lejes së ligjshme të qëndrimit është bërë pothuajse i pamundur.

Në vendin fqinj, e njëjta histori

Nilofar ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme në Afganistan, kur kufizimet e talibanëve ia ndërprenë arsimimin.

Ajo shkoi në Pakistan me të afërmit e saj për të vazhduar shkollimin, por nuk u regjistrua kurrë në ndonjë shkollë, pasi nuk arriti të siguronte leje qëndrimi. Në vend të kësaj, ajo ndjek një kurs të gjuhës angleze, për të cilin nuk kërkohet letërnjoftim.

“Erdha në Pakistan për të marrë një arsimim të mirëfilltë. Tani, e vetmja gjë që mund të bëj është të ndjek kurse herë pas here”, thotë Nilofar, e cila jeton në Hazara Town, një lagje në Kueta, kryeqytetin e provincës Baloçistan të Pakistanit.

Kufizimet kanë prekur edhe afganët që tashmë po ndiqnin studimet e larta në Pakistan.

Qindra studentë afganë të mjekësisë, përfshirë shumë gra, po luftojnë për të vazhduar studimet, pasi Këshilli Mjekësor dhe Dentar i Pakistanit urdhëroi kthimin e tyre në vendlindje dhe u kërkoi kolegjeve që të mos ua mundësonin regjistrimin për këtë vit akademik.

Gjykatat pakistaneze kanë nxjerrë vendime të përkohshme që i mbrojnë studentët nga dëbimi i menjëhershëm, por e ardhmja e tyre mbetet e pasigurt.

Zyrtarët pakistanezë thonë se afganët që kanë viza të vlefshme, dokumente qëndrimi dhe letërnjoftime lokale mund të studiojnë në shkolla dhe universitete.

Por, mbrojtësit e të drejtave të njeriut thonë se kjo politikë nuk i adreson nevojat e atyre që nuk kanë viza formale për shkak të vonesave administrative apo anulimit të statusit të refugjatit.

Disa migrantë afganë i thanë Radios Evropa e Lirë se jetojnë në frikë të vazhdueshme se mund të arrestohen gjatë bastisjeve të policisë pakistaneze, që kur Islamabadi nisi një valë të re masash kundër afganëve pa dokumente në vitin 2023.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) raportuan se më shumë se 2.39 milionë afganë ishin kthyer nga Pakistani në periudhën nga shtatori i vitit 2023 deri më 16 maj 2026.

“Nëse do ta kisha vazhduar shkollën gjatë këtyre katër apo pesë viteve të fundit, tani do të isha në semestrin e katërt të universitetit”, thotë Nilofar.

Kursi i anglishtes, shton ajo, “nuk mund ta zëvendësojë shkollën”./ REL

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Të përjashtuara nga talibanët, vajzat dhe gratë afgane po mbeten pa shkollim edhe në Iran e Pakistan

Të përjashtuara nga talibanët, vajzat dhe gratë afgane po mbeten pa shkollim edhe në Iran e Pakistan

November 15, 2026

Sean Strickland – UFC Middleweight Contender & Championship Striking – Fight statistics!

November 15, 2026
Dhomat e Specializuara, të martën shpallet aktgjykimi në rastin e pengimit të drejtësisë për Hashim Thaçin dhe katër të akuzuarit e tjerë

Dhomat e Specializuara, të martën shpallet aktgjykimi në rastin e pengimit të drejtësisë për Hashim Thaçin dhe katër të akuzuarit e tjerë

November 15, 2026
Estonia do të mbyllë kufirin me Rusinë: Urdhëruan sulm ndaj kompanisë së dronëve

Estonia do të mbyllë kufirin me Rusinë: Urdhëruan sulm ndaj kompanisë së dronëve

November 15, 2026
Kthen ‘borxhin’/ Kosova nis të dërgojë në Shqipëri energjinë e tepërt elektrike

Avantazhi që Shqipëria nuk e reklamon

November 15, 2026

Pse beteja politike e Veliajt nuk e ndihmon betejën e tij me drejtësinë

November 15, 2026
Shqipëria e mbyll në avantazh pjesën e parë me Bjellorusinë

Shqipëria e mbyll në avantazh pjesën e parë me Bjellorusinë

November 15, 2026
Burri që i është bërë barrë PD-së, peliçet e Gridës dhe dosja e Joridës

Rama-Spiropali/ Pasqyra si indianëve, përjashtimi si Berisha

November 15, 2026
Gjekmarkaj: Kronikë nga asambleja e “shpirtrave të vdekur”!

Gjekmarkaj: Kronikë nga asambleja e “shpirtrave të vdekur”!

November 15, 2026
Bjellorusia 0 -2 Shqipëria, pas Manajt edhe Hysaj gjen portën në pjesën e dytë!

Bjellorusia 0 -2 Shqipëria, pas Manajt edhe Hysaj gjen portën në pjesën e dytë!

November 15, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In