Presidenti amerikan Donald Trump ka fajësuar paraardhësin e tij, Joe Biden, për krizën në sistemin e kontrollit të trafikut ajror në SHBA, e cila ka shkaktuar anulimin e më shumë se 18 mijë fluturimeve që prej së premtes. Në reagimin e tij të parë publik për pezullimin e fluturimeve në shkallë kombëtare, të vendosur nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA), Trump akuzoi administratën e mëparshme se e kishte përkeqësuar edhe më shumë një sistem të vjetëruar dhe jofunksional.
“Administrata Biden ishte një katastrofë për FAA-në. Çdo gjë që ata prekën shkoi keq. Ata shpenzuan shuma të mëdha parash në mënyrë të pamatur, duke e bërë një sistem të vjetër dhe jofunksional më keq se sa ishte kur morën detyrën”, shkroi Trump të dielën në platformën Truth Social.
Presidenti amerikan përsëriti gjithashtu kërkesën e tij ndaj Kongresit për miratimin e fondeve shtesë, me qëllim modernizimin e infrastrukturës së kontrollit të fluturimeve.
“Ne kemi njohuritë dhe planin për sistemet e kontrollit të fluturimit. Na duhet që Kongresi të na japë paratë, SHPEJT! FAA po bën një punë të shkëlqyer për ne dhe është gati të fillojë”, deklaroi ai.
Trump kërkon 50 miliardë dollarë: Do të ndërtojmë sistemin më të mirë në botë
Në një tjetër reagim, Trump e cilësoi të papranueshëm faktin që një pjesë e madhe e sistemit amerikan të kontrollit të trafikut ajror është rreth 50 vjeç.
“Nëse Kongresi miraton paratë e nevojshme për kontrollin e trafikut ajror, ne mund ta ndërtojmë atë shpejt dhe me efikasitet. Do të jetë SISTEMI MË I MIRË në të gjithë botën. Pjesa më e madhe e sistemit tonë aktual të kontrollit të trafikut ajror është 50 vjeç – SKANDALE!”, shkroi presidenti.
Ndërkohë, Sekretari i Transportit, Sean Duffy, i ka kërkuar Kongresit miratimin e një fondi prej 50 miliardë dollarësh për modernizimin e sistemeve. Sipas tij, puna ka nisur, por ndërhyrjet duhet të kryhen menjëherë dhe jo në disa faza.
Trump e ka mbështetur këtë kërkesë, duke akuzuar sërish administratën Biden se e ka kthyer vendin disa vite pas në këtë drejtim.
Mbi 18 mijë fluturime të anuluara, kur mund të rikthehet normaliteti?
Kriza në transportin ajror amerikan vijon që prej së premtes, me më shumë se 18 mijë fluturime të anuluara dhe probleme që kanë prekur aeroportet në të gjithë vendin.
Sekretari i Transportit, Sean Duffy, deklaroi për ABC News se nëse situata përmirësohet gjatë së dielës, ekziston mundësia që transporti ajror të rikthehet në normalitet të hënën.
Ndërkohë, autoritetet amerikane po përballen me presion për të zgjidhur problemet në infrastrukturën e kontrollit të trafikut ajror, ndërsa kërkesa për financimin e planit të modernizimit pritet të jetë pjesë e debatit në Kongres.
