Shqipëria e mbyll me fitore aventurën në grupin e Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë kanë triumfuar me rezultatin 0-2 ndaj Bjellorusisë, në takimin e zhvilluar në stadiumin “Illovszky Rudolf” të Budapestit, duke siguruar vendin e parë dhe ngjitjen në Ligën B për edicionin e ardhshëm.
Skuadra kuqezi e zgjidhi ndeshjen me nga një gol në secilën pjesë loje. Ishte Rey Manaj ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 28-të. Sulmuesi shqiptar përfitoi nga rrëshqitja e mbrojtësit kundërshtar dhe brenda zonës, me një goditje të bukur me të majtën, dërgoi topin në rrjetë për avantazhin 0-1.
Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë, ndërsa në minutën e 57-të Shqipëria gjeti golin e sigurisë. Këtë herë protagonist ishte Elseid Hysaj, i cili pas një aksioni të nisur nga Rey Manaj goditi me të majtën. Topi u devijua nga mbrojtja bjelloruse dhe përfundoi në rrjetë, duke çuar shifrat në 0-2.
Në minutën e 63-të, kuqezinjtë pretenduan për një penallti pas pengimit të Laçit nga portieri kundërshtar. Episodi u shqyrtua nga VAR për disa minuta, por gjyqtari vendosi të mos akordonte 11-metërsh, pasi në fazën paraprake ishte konstatuar pozicion jashtë loje i Rey Manajt.
Rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën përfundimtare. Shqipëria merr tri pikët e radhës dhe e mbyll grupin në krye të renditjes, duke siguruar ngjitjen në Ligën B të Ligës së Kombeve. Ky sukses ka një rëndësi edhe më të madhe për kuqezinjtë, pasi vendi i parë u jep një mundësi shtesë për të synuar kualifikimin në Kampionatin Europian 2028, përmes rrugës së play-off-it, krahas eliminatoreve të rregullta.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Finlanda regjistroi një fitore të thellë 7-2 ndaj San Marinos, por kjo nuk mjaftoi për të ndryshuar renditjen. Finlandezët e mbyllën me 10 pikë në vendin e tretë, po aq sa Bjellorusia, e cila ruajti vendin e dytë falë rezultateve më të mira në përballjet direkte.
SHORTI I KUALIFIKUESVE TE EUROPIANIT
Shqipëria ka siguruar matematikisht vendin në Vazon e 3-të për shortin e kualifikueseve të UEFA EURO 2028.
(Shiko në fund videot e golave)

