Kontratat e reja për mësimdhënësit në Prishtinë, a do të detyrohen të qëndrojnë 8 orë në shkollë?
Komuna e Prishtinës ka iniciuar kontrata të reja për mësimdhënësit, me synimin për unifikimin e tyre në nivel komunal. Nisma është kundërshtuar nga SBASHK-u, pasi kërkuan konsultime paraprake dhe harmonizim të kontratës me të gjitha komunat në vend. Pas marrëveshjes mes palëve, procesi është shtyrë deri më 31 janar 2027.
Komuna e Prishtinës ka iniciuar nënshkrimin e kontratave të reja për mësimdhënësit e nivelit parauniversitar, të cilët kanë marrëdhënie pune me afat të pacaktuar.
Sipas këtij institucioni, synimi është që të unifikojnë dokumentet që rregullojnë marrëdhënien e punës në këtë nivel.
Megjithatë, modeli i kontratës ende nuk është publik.
Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, thotë se ndryshimet nuk prekin përmbajtjen e punës së mësimdhënësve, por kryesisht kanë të bëjnë me harmonizimin e referencave ligjore.
“Në aspekt përmbajtësor, më raport me punën e tyre në terren, ka ndryshime në çështjen e orëve, 40 orë në javë, ka të bëjë me strukturën, me përmbajtjen, me referencat ligjore. Më shumë trajtohen nga aspekti juridik, puna nuk ndryshohet, por çka kemi kërku është unifikimi”, ka theksuar Arianit Elshani, Drejtor i Arsimit në Prishtinë.
Pikërisht tek mënyra se si trajtohet orari i punës, ka nxitur kundërshtimin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.
Përmes një njoftimi, këta kanë bërë të ditur se kundërshtojnë nënshkrimin e kontratave të reja, pa negociata paraprake me përfaqësuesit e sindikatës, pasi sipas tyre një kontratë nuk është e harmonizuar në model unik për tërë Kosovën.
Lidhur me shqetësimet se kontratat e reja mund të obligojnë mësimdhënësit të qëndrojnë tetë orë në ditë në ambientet e shkollës, Elshani thotë se një interpretim i tillë nuk ekziston.
“Dua të theksoj faktin e 40-orëshit dhe qëndrimit 8 orësh që u diskutu gjerë e gjatë në Prishtinë, kjo nuk qëndron, duke marrë parasysh rrethanat dhe legjislacionin për këtë çështje”.
Ndërkohë, idenë e një kontrate unike për mësimdhënësit në nivel vendi e mbështesin edhe njohësit e arsimit.
“Rishikimi i kontratave nga komuna e Prishtinës, duhet me u siguru që ka bazë të mirëfilltë ligjore, që nuk ia cenon kontratat aktuale dhe nuk e cenon kohëzgjatjen e tyre. Ajo që është e rëndësishme është një dialog më komunitetin e mësimdhënësve në mënyrë që ta garantojë që ky tranzicion përtej bazës ligjore të ketë edhe mikpritje dhe të mos shihet si cenim i punës dhe integritetit të mësimdhënësve”, ka theksuar Rinor Qehaja, Njohës i Arsimit.
SBASHK, ka arritur pajtim me komunën e Prishtinës, që kjo marrëveshje të shtyhet deri më 31 janar të vitit të ardhshëm, për t’i dhënë kohë që edhe komunat e tjera të shqyrtojnë një kontratë të tillë, dhe e njëjta të jetë unike në tërë vendin./Tv Dukagjini




























