Numri dy i financave: 80 % e qytetarëve do të ndjejnë uljen e çmimeve
Endrit Yzeiraj, zv/Ministër i Financave është i mendimit se nga viti i ardhshëm rreth 80 % e popullatës do të ndjejnë uljen e çmimeve. Gjatë një interviste në emisionin e–Zone në Vizion Plus numri dy i financave thotë se ka fakte dhe analiza që ky efekt të vijë direkt tek konsumatori.
“Ne vlerësojmë se një ulje e TVSH për ushqimet në nivelin 6 % do të përkthehet minimalisht në një ulje në çmimet finale në 10%. Ky fakt vjen edhe si një praktike ku vende të ndryshme kanë aplikuar politika të tilla për të mbështetur shtresat në nevojë. Nëse ulja do të jetë 5% në çmimin final në rafte atëherë është tregues se tregu ka problem strukturore”, tha Yzeiraj në Vizion Plus.
Por çfarë garancie ofron qeveria se një politike e tillë fiskale do të arrijë deri tek xhepi i konsumatorit?
“Ne me institucionet përkatëse do të kemi një sy më shumë në treg. Autoriteti i Konkurrencës do të ketë disa detyra shtesë që do të ndikojnë pozitivisht për më shumë mirëfunksionim të tregut. Ndërkohë edhe platforma e çmimeve që kemi lançuar do të shërbejë jo vetëm për më shumë transparencë, por do të nxisë edhe konkurrencën mes operatorëve në treg”, sqaroi Yzeiraj.
Në total janë 10 ndryshime në taksa dhe tatime që do të ndodhin për vitin e ardhshëm. Yzeiraj pranon se këto ndryshime janë edhe një përafrim i politikave fiskale me Bashkimin Europian. Sipas tij një pjesë e ndryshimeve janë afruar dy vite para.
/vizionplus.tv




