Fakte pse “protesta” do të krijojë dhjetë parti të reja dhe rivale kundër njëra-tjetrës? Nga Preç Zogaj
Kur ngjarja ngatërrohet me jehonën
Gjatë qëndrimit në Dublin të Irlandës, kryeministri Rama komentoi protestat rinore dhe popullore në Shqipëri, të cilave, për lehtësi e bukuri komunikimi, u është dhënë në media emri i shpendit ekzotik, flamingo.
Arsyeja dihet. Shkëndija e protestave, që s’kanë rreshtur që nga 31 maji i këtij viti u ndez në Zvërnec, ku gjendet një habitat i njohur flamingosh. “Le të jemi të sinqertë”, tha Rama në Dublin.
“Ky revolucion i flamingove, që emrin e ka shumë tërheqës, është rezultat i një urrejtjeje shumë të madhe ndaj Donald Trampit.
Nëse hija e tij nuk do të ishte në sfond të kësaj çështjeje, s’do të kishit dëgjuar për flamingot. Të gjithë ata që urrenin Trampin gjetën bulevardin e Tiranës për këtë betejë, njësoj si Çezari që gjeti Jugun e Shqipërisë për të luftuar kundër Pompeut”.
E gjithë kjo tiradë, për ta thënë butë, nuk është hiç e vërtetë.
Protesta më e gjatë në historinë e vendit, nga 31 maji e deri sot, ka kërkuar dorëheqjen e Ramës, hedhjen prapa krahëve të establishmentit Rama-Berisha, reformimin e sistemit politik dhe një Shqipëri të re në BE.
Si institucion, kjo protestë nuk ka vënë në shënjestër në asnjë rast dhe në asnjë lloj forme Presidentin e SHBA-së, Tramp. As familjen e tij. Përkundrazi, shumë prej folësve spontanë që kanë marrë mikrofonin janë dëgjuar të shprehin mirënjohjen dhe të lartësojnë kontributin pa të dytë të SHBA-së në historinë e shtetformimit dhe demokracisë në Shqipëri e Kosovë. Sikurse kanë kërkuar mbështetje nga Uashingtoni për realizimin e kërkesave të tyre.
Qoftë mirënjohja për çfarë kanë bërë deri dje, qoftë kërkesat për mbështetje sot dhe në vazhdim, i shkojnë si shprehje nderimi dhe besimi institucioneve amerikane, kreut aktual të shtetit, Donald Tramp.
Natyrisht, në Shqipëri, si kudo në Europë, ka njerëz që nuk e pëlqejnë Trampin. Jo se u ka bërë ndonjë të keqe, por sepse në përgjithësi raportohen politikisht me të. Ka të majtë dhe liberalë, apo edhe konservatorë të butë, që nuk ndajnë as vizionin, as qëndrime të caktuara të tij në skenën ndërkombëtare. Kjo është kryesisht një çështje përkatësish dhe afinitetesh politike. E shohim të shfaqet në botë për çdo president amerikan. Kur Shtëpinë e Bardhë e fiton një demokrat, janë të djathtët konservatorë që mërziten. Kur e fiton një republikan, mërziten të majtët dhe liberalët.
E gjithë kjo nuk e cenon respektin për kryetarin e shtetit që zgjedhin qytetarët amerikanë. Mirënjohja për çdo gjë të mirë të Presidentit dhe administratës së tij për Shqipërinë dhe Kosovën nuk ka ngjyra politike.
E ashtuquajtura urrejtje kundër Trampit, që kryeministri Rama ua atribuon jo për herë të parë qytetarëve të vendit të tij në protestë, ngrihet mbi një konfondim flagrant të ngjarjeve me jehonën. Do të kisha vështirësi ta mendoja të paqëllimshme. Përndryshe, do të duhej të besonim se kryeministrit kanë nisur t’i fluturojnë ca pëllumba.
Ngjarja janë protestat që morën shkas nga zvarritja e dhunshme në Zvërnec e njërit prej pronarëve të tokës ku do të ndërtohej resorti i madh turistik, ende pa projekt, me vlerë katër miliardë euro, me financim nga dy vëllezërit Alkhayat nga Katari dhe me ndërmjetësim e përfshirje të dhëndrit Kushner dhe vajzës Ivanka të Presidentit Trump.
Skandali në fjalë shërbeu si valvula që shpërthen tenxheren, si ngjarja e vogël në të cilën ishin dendësuar sëmundjet e qeverisjes pesëmbëdhjetëvjeçare, ku spikat arroganca në sistem e oligarkëve dhe eksponentëve të krimit me mbështetje qeveritare, personalizimi ekstrem i pushtetit dhe vendimmarrjeve të mëdha nga vetë Rama në shpërfillje të ligjeve dhe rregullave, duke ua nënvendosur vullnetit të tij, korrupsioni endemik në përmasa të mëdha e të tjera. Të përkthyera të gjitha këto në rritje të varfërisë dhe pakënaqësisë popullore.
Nga Zvërneci në Tiranë, protesta njohu një zgjerim shumë të madh të spektrit të çështjeve dhe forcave pjesëmarrëse. Protestuesit e identifikuar me emrin e flamingos mbajtën meritat e pararojës, por ishin një vektor i protestave të mëdha ku ishte derdhur frustrimi i një shoqërie të nëpërkëmbur.
Ndërkaq, SPAK-u nisi një hetim për titujt e pronësisë, tjetërsimin e tokave dhe përdorimin e dokumenteve të falsifikuara në zonën ku parashikohet të ngrihet resorti katërmiliardësh. Deri tani janë bërë disa sekuestrime preventive, kontrolle dhe verifikime për origjinën e pronave dhe ligjshmërinë e transaksioneve. Hetimet vazhdojnë.
Kjo është përmbledhtazi ngjarja.
Jehona ka të bëjë me pasqyrimin e saj në mediat botërore, të cilat nga natyra tërhiqen pas ngjarjeve ku përfshihen emra të njohur e shumë të njohur, siç janë në rastin konkret dhëndri dhe vajza e Presidentit Tramp. Aq më shumë mediat antitramp në SHBA dhe Europë, që janë të shumta. Ato nuk i kanë krijuar, por i kanë pasqyruar protestat në Shqipëri, duke mbajtur në fokus pikënisjen e tyre, duke gërmuar me sa kanë mundur në rolin e Kushnerit dhe Ivankës, duke gjurmuar pozicionin e tyre dhe nëse ka apo jo konflikt interesi.
Nuk marrim përsipër të gjykojmë si e bëjnë punën mediat amerikane apo europiane. Por një gjë mund ta themi me plot gojën: ndërsa janë dhe s’mund të mos jenë subjekt i lajmeve dhe artikujve, protestuesit shqiptarë nuk kanë lidhje fare me pozicionet që marrin mediat në raport me Presidentin Tramp. Kjo është si një e një bëjnë dy.
Si është e mundur që kryeministri i Shqipërisë të ngatërrojë ngjarjen me jehonën dhe prej këtu t’u taksë qytetarëve të vendit të vet një urrejtje të paqenë kundër presidentit Tramp dhe familjes së tij?
Edhe po të ishte e vërtetë, kryeministrit nuk i ka hije ta bëjë këtë. Duke mos qenë e vërtetë, çudia bëhet më e madhe. Nëse i shkon mendja se fiton empati në familjen Tramp, e ka shumë gabim. Tani për tani është në proces hetimi nga SPAK-u tjetërsimi i mundshëm i tokave në Zvërnec dhe ligjshmëria e transaksioneve për projektin. Nëse gjithçka del e rregullt, shumica e shqiptarëve do të gëzoheshin me një investim kaq të madh në Zvërnec. Nëse vërtetohen shkelje, do të dalë se Rama u ka ofruar dhëndrit dhe vajzës së Trampit një tokë të minuar me parregullsi ligjore. Pra, ka qenë ai shkaku hem i protestave, hem i jehonës botërore që ka vënë në fokus familjen e Presidentit.
Top Channel