Ndërsa protesta para Kryeministrisë vijonte paqësisht, efektivët e Policisë së Shtetit kanë nisur shoqërimin e disa prej protestuesve. Ndërhyrja e uniformave blu është kundërshtuar nga qytetarët e pranishëm, të cilët kanë reaguar me thirrjet: “Policia e krimit!”.
Një ditë më parë, më 14 nëntor, studentët dhe qytetarët zhvilluan protestën kombëtare, e cila nisi rreth orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit. Pas qëndrimit në këtë institucion, protestuesit marshuan në disa rrugë të kryeqytetit, duke kaluar nga Zogu i Zi dhe zona e 21 Dhjetorit, për t’u rikthyer më pas në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.
Gjatë marshimit nuk munguan incidentet. Disa protestues dogjën kosha mbeturinash, dëmtuan tabela reklamuese dhe stacione autobusësh, ndërsa në zonën e Zogut të Zi u bllokua për disa minuta qarkullimi.
Më vonë, pranë godinës së Kryesisë së Kuvendit, pati hedhje gurësh dhe tentativë për të dëmtuar hyrjen e institucionit. Policia ndërhyri dhe shoqëroi disa prej pjesëmarrësve.






