Inspektim në IEVP Berat: Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, vlerëson kushtet dhe sigurinë në institucion
Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, ka zhvilluar një vizitë inspektuese në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Berat, ku është pritur nga drejtuesit dhe stafi i institucionit. Gjatë këtij takimi, u vu theksi tek angazhimi dhe përgjegjësia në përmbushjen e detyrave funksionale nga ana e punonjësve.
Verifikimi i kushteve dhe komunikimi me të paraburgosurit
Gjatë inspektimit në terren, u kontrolluan nga afër të gjithë sektorët kryesorë të funksionimit të institucionit. Vëmendje e veçantë iu kushtua “garantimit të sigurisë, zbatimit të procedurave dhe masave të kontrollit, kushteve logjistike të akomodimit, ushqimit dhe fjetjes së personave të paraburgosur”, si dhe mbarëvajtjes së shërbimit shëndetësor.
Autoritetet konstatuan se gjendja e furnizimit me pajisje mjekësore, medikamente, si dhe kushtet e higjienës dhe pastërtisë në ambientet e institucionit ndodhen në një nivel të lartë.
Në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të personave të privuar nga liria, Drejtoresha Bodo zhvilloi një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me të paraburgurit, duke dëgjuar kërkesat dhe shqetësimet e tyre. Ajo mori angazhim personal për t’orientuar strukturat përgjegjëse drejt shqyrtimit dhe zgjidhjes konkrete të çështjeve të ngritura.
Roli i artit në riintegrim dhe planet e ardhshme
Vizita u shoqërua gjithashtu me një aktivitet kulturor, ku një artist dhe regjisor shqiptar prezantoi filmin e tij, duke promovuar “rolin e artit dhe kulturës në procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit” të të dënuarve.
Nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve u theksua se vizitat inspektuese do të vijojnë në të gjitha institucionet penitenciare në vend, me qëllim monitorimin e vazhdueshëm të punës, forcimin e përgjegjshmërisë institucionale dhe garantimin e standardeve të larta të trajtimit me dinjitet të personave në sistemin e burgjeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



























