Polemika mes Veton Surroit dhe Baton Haxhiut pas botimit të librit/ “Bashkëpunove me Stanishiçin” – “Foton e Titos e mbanit në mur, takohemi në gjyq”

15/11/2026 20:05

Publicisti Veton Surroi ka publikuar në faqen e tij një shkrim polemizues lidhur me dy librat e Baton Haxhiut, botuar së fundmi në Tiranë nga shtëpia botuese UET Press.

Surroi kundërshton disa prej deklaratave të Haxhiut në emisionin “Pressing” në T7, më 12 nëntor, veçanërisht rrëfimin e përfshirë në librin me titull “Kosova, historia që zhbëri Jugosllavinë”, për një drekë në vitin 1998 në banesën e nënës së tij, Nahire, ku sipas Haxhiut, në mur qëndronte një fotografi e madhe e Titos dhe kishte zhvilluar një bisedë me të rreth saj.

Pas kësaj ka reaguar dhe analisti Baton Haxhiu, i cili këmbëngul se dreka ka ndodhur dhe se fotografia e Titos qëndronte në mur, duke deklaruar se nuk ka asgjë për të korrigjuar në rrëfimin e tij.

Ai paralajmëron gjithashtu përballje në gjykatë lidhur me akuzat e Surroit ndaj babait të tij të ndjerë.

Haxhiu hedh poshtë gjithashtu pretendimet për lidhje me strukturat serbe dhe i kundërpërgjigjet Surroit duke vënë në pikëpyetje qëndrimin e tij ndaj historisë së gazetës “Koha Ditore”.

Statusi i Veton SURROIT

Rreth disa konstatimeve të Baton Haxhiut në emisionin “Pressing” në T7 të 12 nëntorit 2026

• Baton Haxhiu foli për pjesëtarët e vdekur të familjes sime, në mesin e tyre edhe për nënën time Nahire dhe dajën Zenel Kabashi. Sipas tij,unë e kam çuar në drekë në banesën e nënës time në 1998 dhe në të ka parë fotografinë e Titos e më pas ka zhvilluar edhe bisedë me të rreth fotografisë . Unë nuk e kam çuar Baton Haxhiun në banesën e nënës sime as më 1998 e as ndonjë herë tjetër. Fotografia e Titos dhe biseda me nënën time janë trillim i tij, një gjë jo e befasishme për veprimin publik të tij.

• Gjatë bisedës në T7 B.Haxhiu u thirr në emër të fjalëve të afërmëve të mi të vdekur që janë në pamundësi të përgjigjen. Unë nuk mund të citoj fjalët e të vdekurve për B.Haxhiun apo babain e tij. Fazli Haxhiu apo Fazli Qeli, siç njihej, nuk mund të mbrohet në të vdekur nga konstatimet se ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit të Sigurimit i caktuar për mbulimin e aktiviteteve kulturore.

• Unë kam menduar atëherë dhe mendoj sot se Baton Haxhiu nuk është përgjegjës për veprimet e babait apo familjarëve të tij. Baton Haxhiu do të duhej të ishte përgjegjës për veprimet e veta.

• Në vitin 1998 kur thotë se ka qenë në banesën e nënës sime, B.Haxhiu ka pranuar ftesën për bashkëpunim me Zoran Stijoviqin, udhëheqës në Shërbimin e sigurimit shtetëror të Serbisë për Prishtinë, në mënyrë që të hapet një kanal i komunikimit mes shefit të sigurimit shtetëror të Serbisë Jovica Stanishiq dhe Mahmut Bakallit. B.Haxhiu, në bashkëpunim me Z.Stijoviqin, ka koordinuar takimet e përfaqësuesve të Sigurimit shtetëror të Serbisë me Mahmut Bakallin në banesën e z.Bakalli në Prishtinë dhe në hotelin e Sigurimit shtetëror në Brezovicë.

• Në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit në Hagë , gjatë dëshmive të M.Bakallit dhe pyetjeve të S.Millosheviqit, roli i B.Haxhiut nuk doli të jetë ai i bashkëbiseduesit të J.Stanishiqit, siç pretendon në deklarata të ndryshme. Gjatë bisedës kokë më kokë mes J.Stanishiqit dhe M.Bakallit, B.Haxhiu ka qenë në katin e poshtëm së bashku me operativët e Sigurimit shtetëror të Serbisë.

• Më 2005 Ministria e brendshme e Shqipërisë refuzoi pëlqimin për dhënien e shtetësisë B.Haxhiut. Dokumenti mbi te cilin MB vendosi refuzimin ishte i një natyre sekrete, që nënkupton marrëdhënie të një natyre të papërshtatshme me nje sherbim inteligjent jomiqësor me Shqipërinë. Refuzimi i M. të Brendshëm u tejkalua me të drejtën diskrecionale të Presidentit , pas një fushatë mediale të udhëhequr nga TV Klan.

• Gjatë emisionit B.Haxhiu paska elaboruar për tërë familjen time amnore, nga gjyshi im Xhemal Kabashi, te fëmijët e tij dhe dhëndurët. Përgjatë shekullit XX , Xhemal Kabashi, fëmijët dhe dhëndurët, me bindje të ndryshme e të kundërta politike, kanë formësuar shtetin e Kosovës. Krenohem me të gjithë dhe me secilin veç e veç; krenaria ime nuk pretendon t’u marrë meritat, ato janë krejtësisht tyret.

Reagimi i Baton HAXHIUT

Fotografia e Titos qëndronte në mur

Shkronjat e Vetonit kanë ecur më shpejt se dhimbja e tij, sepse kur fjalia të tradhton kaq qartë, kundërshtari pothuajse bëhet i panevojshëm.

E lexova me vonesë reagimin e Veton Surroit. Pas promovimit të librit në Tiranë dhe Prishtinë, sot isha në Mal të Zi dhe vetëm më pas pata kohë ta lexoja.

Për kapitullin tim në libër dua të them vetëm një gjë, pa asnjë ekuivok.

Dreka ka ndodhur. Vetoni ishte aty.

Fotografia e madhe e Titos qëndronte në mur dhe biseda ime me nënën e tij, zonjën Nahire, ka ndodhur pikërisht siç e kam rrëfyer në libër.

Prandaj nuk kam çfarë të korrigjoj. Nuk i heq asnjë pikë dhe asnjë presje atij kapitulli.

Vetoni mund ta mohojë sot një ngjarje në të cilën ka qenë vetë i pranishëm. Kjo është e drejta e tij. Por unë nuk mund ta ndryshoj atë që kam parë dhe përjetuar vetëm sepse, pas kaq vitesh, atij nuk i pëlqen mënyra si duket kur vendoset në letër. Dhe Jugosllavia s’është më.

Në fakt, pikërisht kjo e bën reagimin e tij të çuditshëm. Ai nuk po kundërshton një interpretim timin për të. Po mohon një drekë ku ishte vetë.

Pjesa tjetër e reagimit të tij është çështje krejt tjetër.

Vetoni ka zgjedhur të përfshijë babanë tim të ndjerë dhe ta akuzojë. Për këtë nuk do të polemizoj në Instagram.

Për këtë, Veton, do të shihemi në gjyq.

Babai im u burgos në maj të vitit 1981, në kohën e pushtetit ku Fadil Hoxha ishte figura kryesore politike të Kosovës. Historia e tij nuk ka nevojë për dëshminë e Veton Surroit dhe as për timen. Ka dokumente.

Për historinë e tij ekzistojnë dëshmi burgu dhe dëshmitar, dhe aty ku akuzat duhet të provohen, dokumentet vlejnë më shumë se kujtimet, insinuatat dhe statuset në rrjete sociale.

Prandaj merr dokumentet me vete. Do të të duhen.

Ka edhe diçka që më habit më shumë se vetë akuza. Duhet një pakujdesi e jashtëzakonshme ndaj logjikës së fjalëve të tua që të mos kuptosh se çfarë ke shkruar. Duken Shizofreni shkronjash.

Nëse unë, kryeredaktori i Kohës Ditore në atë periudhë, paskam qenë në funksion të strukturave serbe, atëherë akuza jote nuk mbaron te Baton Haxhiu.

Ajo vazhdon te Koha Ditore.

Sepse, sipas logjikës sate, gazeta që ti ishe themelues, që botohej nën drejtimin tim dhe që ishte në përballje të hapur me regjimin e Millosheviqit, dhe jam denuar dy ditë para bombardimeve, ku policia me ka kap zvarr, paska funksionuar për vite me një kryeredaktor të lidhur me strukturat e atij regjimi.

Dhe këtu lind një pyetje që vetëm ti mund ta zgjidhësh. Ose mund ta gjesh nje budalla tjetër shkronjash.

Nuk e dije kush po ta drejtonte gazetën?

E dije dhe e pranove?

Apo sot, në përpjekjen për të më goditur mua, nuk e ke kuptuar se çfarë po i bën historisë së gazetës së Kohës Ditore? Duhet të jesh o shumë i padijshëm, o shumë i poshtër.

Asnjëra prej këtyre mundësive nuk të nderon. Sepse ka raste kur problemi nuk është ligësia e akuzës. Është mungesa e mendimit që duhej të vinte përpara saj. Bashkë me ndërgjegjjen e munguar.

Nganjëherë nuk të komprometon kundërshtari. Të komprometon fjalia që ke shkruar para se ta mendosh deri në fund. Dhe nëse nuk e mendon, pastaj dukesh si budalla shkronjash.

Edhe për ato që kam bërë vetë nuk kam nevojë të fshihem pas askujt. Jeta ime publike është e hapur. Kam qenë gazetar dhe kryeredaktor në kohën më të vështirë të Kosovës. Kam shkruar, kam marrë pozicione, kam gabuar kur kam gabuar dhe kam mbajtur përgjegjësi për atë që kam bërë. Dhe nuk kam takuar struktura serbe me 1998 po as serb te vetem. Ti ke takuar Millosheviqin me ‘98, dhe mos me ngatërro me veten.

Prandaj, Nuk ia delegoj askujt biografinë time.

Dhe këtu, ndoshta, fillon problemi i vërtetë i Vetonit me mua. Nuk fillon me fotografinë e Titos dhe as me dollmat.

Ne kemi ardhur nga dy botë politike të ndryshme.

Vetoni ishte formuar në një botë jugosllave, institucionale, në një elitë që kishte vendin dhe hierarkinë e vet brenda atij sistemi. Unë erdha nga një tjetër përvojë dhe e lexova ndryshe atë që po ndodhte me Kosovën.

Në fund, koha ndryshoi më shpejt se njerëzit.

Vetoni nuk e kuptoi me kohë se Jugosllavia nuk po reformohej. Po ikte. Dhe bashkë me të po ikte edhe një botë politike, një mënyrë të menduari dhe një hierarki në të cilën shumë njerëz kishin ditur saktësisht vendin e tyre.

Veton, shikoje filmin Goodbye Lenin, që mbahet për idenë e tij më të bukur dhe më të dhimbshme. Ay shihet që një botë mund të ketë përfunduar jashtë dritares, ndërsa dikush brenda, si ti brenda dhomës, vazhdonte të jetonte sikur ajo ende ekziston.

Kjo, ndoshta, është diferenca jonë.

Po të kishte fituar Jugosllavia, ndoshta unë do ta kisha parë jetën e Vetonit me zili.Dhe ndoshta do isha o në burg o i vdekur.

Por Jugosllavia nuk fitoi. Kosova doli prej saj. Dhe në Kosovën jashtë Jugosllavisë, ndoshta Vetoni do të kishte dashur të kishte një pjesë të jetës publike që pata dhe që unë e kam.

Nuk e them këtë si mburrje. As si fyerje.

E them sepse ndonjëherë njerëzit nuk zemërohen me atë që ke shkruar për ta. Zemërohen me kohën që ka ndryshuar dhe me faktin se Vetoni dhe të tjerë nuk ndryshuan bashkë me të.

Vetoni mund ta ketë versionin e vet të historisë. Unë kam timin. Dhe e kam shkruar.

Dallimi është se për atë drekë nuk po flas nga dokumentet, nga thashethemet apo nga dëshmitë e të tjerëve.

Kam qenë aty.

Edhe Vetoni ka qenë aty.

Fotografia e Titos qëndronte në mur.

Libri qëndron ashtu siç është.

Të tjerat le t’i gjykojnë lexuesit.

Kurse ty të them që t’ilexosh librat. Dhe aty e sheh veten në pasqyrë.

Mos e moho as fotografinë e Titos, as emrin përkëdhelës “Tille”. Duke i mohuar, nuk po rrëzon rrëfimin tim, por po përpiqesh të fshish një pjesë të vetes sate dhe të asaj historie me të cilën njerëzit të kanë njohur dhe të njohin.

Top Channel