Në nëntor të vitit 1990, kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar u largua mes lotësh nga Downing Street 10. Ajo u rrëzua nga vetë partia e saj, pasi ishte dobësuar nga një kundërshtar që pakkush do ta kishte parashikuar.
Teksa Margaret Thatcher qëndronte për herë të fundit në pragun e rezidencës zyrtare të kryeministrit britanik, ajo u përball me vëmendjen e plotë të mediave nga e gjithë bota.
“Po largohemi nga Downing Street për herë të fundit, pas 11 vitesh e gjysmë të mrekullueshme, dhe jemi të lumtur që po e lëmë Mbretërinë e Bashkuar në një gjendje shumë më të mirë se ajo në të cilën e gjetëm”, tha ajo.
Por Thatcher nuk dukej aspak e lumtur. Më pak se një javë më parë, më 22 nëntor 1990, ajo kishte dhënë dorëheqjen si kryetare e Partisë Konservatore në pushtet, pasi nuk arriti të siguronte mbështetjen e mjaftueshme në garën për drejtimin e partisë, për të vazhduar të qeveriste me autoritet. Me lotët që i rridhnin, ajo përshëndeti me dorë dhe më pas u nis drejt udhëtimit të zakonshëm për në Pallatin Buckingham, për takimin e fundit me mbretëreshën Elizabeth II. Ironikisht, ishte pikërisht mënyra gjithnjë e më autoritare, thuajse mbretërore, me të cilën ajo drejtonte partinë, që e shtyu këtë të fundit të kthehej kundër saj.
Si kryeministrja e parë grua në historinë e Britanisë, Thatcher e kishte udhëhequr partinë e saj drejt fitores në tri zgjedhje të përgjithshme. Pak politikanë kanë ushtruar kaq shumë pushtet gjatë kohës në detyrë ose kanë ngjallur ndjenja kaq të forta, si pro, ashtu edhe kundër tyre.
Ajo zhvilloi dhe fitoi beteja të panumërta kundër establishmentit britanik, sindikatave, Partisë Laburiste në opozitë dhe, më fort se me këdo tjetër, kundër kabinetit të saj. Por tani kishte humbur betejën përfundimtare me kolegët e partisë dhe, në humbje, ndihej thellësisht e tradhtuar. Është një histori arrogance, ndjenjash të lënduara dhe metaforash sportive tipike britanike.
Një nga ministrat e saj, Chris Patten, i tha BBC-së në vitin 2005 se Thatcher e kuptonte që “njerëzit duhet të kenë pak frikë prej teje nëse dëshiron t’i bësh gjërat sipas mënyrës tënde”.
Patten tha se ajo kishte një “stil të jashtëzakonshëm: në fillim përmblidhte përfundimet e mbledhjeve dhe më pas sfidonte të gjithë të pranishmit që të thoshin nëse mendonin se ajo mund të ishte gabim”. Ai shtoi: “Nëse i bëje gjërat gabim, ekzistonte gjithmonë ajo ndjesia e lehtë sikur një anakondë të varej nga llambadari”.
Në vitin 2005, Thatcher tha se, si shkencëtare e formuar, qasja e saj ishte që fillimisht të mblidhte me rigorozitet informacionin dhe më pas të jepte përfundimin e saj. “Mendoj se ndonjëherë kryeministri duhet të jetë imponues. Nuk ka shumë kuptim të jesh një figurë e dobët, e lëkundur në atë karrige, apo jo?”
Kur Thatcher siguroi një mandat të tretë të rrallë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1987, një nga veprimet e saj të para ishte njoftimi për vendosjen e taksës së diskutueshme komunitare, ose “poll tax”, një taksë vendore e këshillave bashkiakë që kërkonte nga çdo banor të paguante të njëjtën shumë, pavarësisht të ardhurave.
Në mars të vitit 1990, kjo taksë shkaktoi trazira në sheshin Trafalgar të Londrës, ndërsa deputetët konservatorë nisën të shqetësoheshin se ajo mund t’u kushtonte vende në parlament. Për herë të parë, udhëheqja e kryeministres u vu në pikëpyetje. Megjithatë, ishte çështja e marrëdhënieve të Mbretërisë së Bashkuar me Europën ajo që do të sillte përfundimisht rënien e saj.
Askush nuk do ta kishte parashikuar se Sir Geoffrey Howe do të luante një rol kaq vendimtar në rrëzimin e “Zonjës së Hekurt”. Deputeti njihej për natyrën e tij të butë: në vitin 1978, një deputet laburist e krahasoi një sulm të tij retorik me “sulmin e një deleje të ngordhur”.
Ai i tha emisionit Newsnight të BBC-së në vitin 2005: “Mënyra ime e argumentimit është përsëritja këmbëngulëse. Nuk më pëlqen t’u bërtas njerëzve, ndërsa mua më është bërtitur deri diku. Mendoj se kjo mund të jetë mjaft irrituese kur je një njeri i qetë, këmbëngulës dhe kokëfortë. Kjo nuk i pëlqen gjithmonë personit që parapëlqen të të ngacmojë e të të provokojë”.
Por nënvlerësimi që Thatcher i kishte bërë vetë Sir Geoffrey-t do të rezultonte fatal. Ai do të mbante një fjalim shkatërrues, të cilit i është referuar shpesh si një nga më të mirët në historinë e parlamentit britanik.
Megjithëse Sir Geoffrey kishte qenë një aleat i afërt i Thatcher-it në vitet e para të saj në pushtet, marrëdhënia mes tyre ishte përkeqësuar. Kur ajo riorganizoi kabinetin në korrik 1989, John Major, ylli në ngjitje i partisë, e zëvendësoi në postin e ministrit të Jashtëm. Kolegu i tij në kabinet, Kenneth Baker, kujtoi në një intervistë për BBC-në në vitin 2019: “Kur ajo praktikisht e shkarkoi Geoffrey-n, e emëroi zëvendëskryeministër. Ky është një post pa funksione reale, si zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara… Ai e kuptoi se po e nxirrnin gradualisht mënjanë”.
Më 30 tetor 1990, Thatcher lëshoi në parlament një nga deklaratat e saj më famëkeqe, duke sulmuar ashpër homologët e saj në Europë. Në përgjigje të thirrjeve nga Brukseli për një kontroll më të madh të centralizuar, ajo deklaroi me sfidë: “Jo, jo, jo!” Kjo ishte e tepërt për Sir Geoffrey-n, i cili dha dorëheqjen dy ditë më vonë.
Thatcher mbeti sfiduese dhe, më 12 nëntor, mbajti një fjalim tipikisht luftarak në banketin vjetor të Lord Mayor-it të Londrës. Duke përdorur një sërë metaforash nga kriketi, ajo tha: “Unë jam ende në fushën e lojës, ndonëse kohët e fundit topat janë hedhur me mjaft armiqësi. Dhe, në rast se dikush ka dyshime, mund t’ju siguroj se nuk do t’u shmangem topave të lartë e të shpejtë, nuk do të mbrohem pasivisht dhe nuk do të përpiqem të fitoj kohë. Do t’i godasim topat në të gjitha anët e fushës. Ky është stili im”.
“Do të vazhdoj të luftoj; do të luftoj për të fituar”
Të nesërmen, në parlament, Sir Geoffrey iu përgjigj me goditjen e tij përfundimtare. Duke përdorur një tjetër analogji nga kriketi për të përshkruar qëndrimin e Thatcher-it ndaj negociatave britanike në Europë, ai tha: “Është pak a shumë sikur t’i dërgosh lojtarët e parë në fushë, vetëm për të zbuluar… se shkopinjtë e tyre janë thyer përpara ndeshjes nga kapiteni i ekipit”.
Ai vazhdoi: “Ka ardhur koha që të tjerët të mendojnë për reagimin e tyre ndaj konfliktit tragjik të besnikërisë, me të cilin jam përballur edhe unë, ndoshta për një kohë tepër të gjatë”. Kjo u interpretua si një ftesë për një kundërshtar të vjetër të Thatcher-it që të dilte nga mërgimi politik dhe të ndërmerrte një përpjekje për të marrë pushtetin.
Këtu hyn në skenë njeriu që njihej gjerësisht me nofkën Tarzan. Michael Heseltine kishte dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit të Mbrojtjes katër vjet më parë, në shenjë proteste ndaj faktit se Thatcher shpërfillte mendimet e tij. Ai e kishte fituar nofkën në vitin 1976, kur kishte rrëmbyer topuzin ceremonial në Dhomën e Komunave dhe e kishte tundur mbi kokë. Që prej largimit nga qeveria, ai e kishte kaluar kohën duke përgatitur rikthimin e tij. Me hyrjen e Heseltine-s në garë, nisi beteja për drejtimin e partisë.
Ditën e raundit të parë të votimit, Thatcher zgjodhi të udhëtonte drejt Parisit për t’iu bashkuar liderëve të tjerë botërorë në një samit që shënonte fundin e Luftës së Ftohtë, në vend që të qëndronte në Londër për të bindur deputetët që kishin filluar të dyshonin tek ajo. Megjithëse e mundi Heseltine-n në raundin e parë me 204 vota kundrejt 152, mjaft deputetë votuan kundër saj, duke e penguar të fitonte me shumicë të mjaftueshme. Me kalimin e garës në raundin e dytë, autoriteti i kryeministres brenda partisë po zbehej me shpejtësi.
Pavarësisht presionit që Thatcher të rishqyrtonte pjesëmarrjen në raundin e dytë, pas kthimit në Londër ajo u zotua: “Do të vazhdoj të luftoj; do të luftoj për të fituar”. A do të kishte dikush guximin t’i thoshte në sy se duhej të tërhiqej? Në vend që të përpiqej t’i mblidhte të gjithë mbështetësit në një vend, ajo zgjodhi t’i thërriste ministrat një nga një.
Ndërsa prisnin jashtë zyrës së saj, ata bisedonin mes tyre dhe shumica binin dakord për atë që duhej të ndodhte. Tre vjet më vonë, Thatcher iu rikthye kësaj kujtese të dhimbshme, duke i treguar BBC-së se si, njëri pas tjetrit, ministrat i përcillnin të njëjtin mesazh: “Sigurisht, nëse dëshironi të kandidoni, do t’ju mbështes. Por nuk mendoj se mund të fitoni. Prandaj, mendoj se duhet t’u lini të tjerëve mundësinë të kandidojnë – dhe të tërhiqeni ju”.
Ajo vendosi të flinte një natë përpara se të merrte vendimin. Thuhej se flinte vetëm katër orë në natë, një zakon i njohur i saj.
Disa nga ministrat e saj po fshinin gjithashtu lotët.
Në mbledhjen e kabinetit mëngjesin e ardhshëm, ajo njoftoi se kishte vendosur të largohej. Sipas Caroline Slocock, një zyrtare e lartë e administratës publike që ndodhej në sallë, ishte një skenë emocionuese.
Në një intervistë për BBC-në në vitin 2019, ajo tregoi se Thatcher-i – “vetëm një grua e rrethuar nga burra” – nisi të lexonte një deklaratë të shkurtër. “Sapo filloi ta lexonte, nisi të qante dhe më pas shpërtheu në ngashërim. E kishte vërtet të vështirë t’i nxirrte fjalët”, tha Slocock. Disa nga ministrat e saj po fshinin gjithashtu lotët. Chris Patten vuri në dukje më vonë: “Mendoj se të gjithë e dimë që jo pak krokodilë e mbajnë shaminë të gatshme në xhep”.
Thatcher-i i premtoi mbështetjen e saj John Major-it, i cili përballoi sfidat e Heseltine-it dhe Douglas Hurd-it në raundin e dytë të votimit dhe u zgjodh kryetar i ri i Partisë Konservatore më 27 nëntor. Një ditë më vonë, Thatcher-i përshëndeti për herë të fundit nga Downing Street.
Pas audiencës me mbretëreshën, ajo dhe bashkëshorti i saj, Denis, u nisën drejt shtëpisë së tyre të re në një kompleks rezidencial të rrethuar me siguri në Dulwich, në jug të Londrës. Ajo këmbënguli se të nesërmen në mëngjes do të kthehej në parlament, ndonëse tashmë e priste një rrugë më e gjatë për në punë, pasi puna ishte e vetmja gjë që dinte të bënte. Megjithëse u tha gazetarëve se do t’i jepte Major-it mbështetjen e saj të plotë, në vitet që pasuan, duke u bërë një “këshilluese shumë e mirë nga prapaskena”, ajo do t’ia vështirësonte ndjeshëm jetën.
Gjatë gjithë pjesës së mbetur të jetës, Thatcher-i nuk arriti kurrë ta kapërcente ndjenjën e tradhtisë. Siç i tha BBC-së në vitin 1993: “Ishte tradhti e maskuar pas një buzëqeshjeje. Ndoshta kjo ishte gjëja më e keqe nga të gjitha”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e BBC