Protesta historike në Pragë, 450 mijë qytetarë në rrugë kundër qeverisë: Mos prekni mediat publike

Protesta historike në Pragë, 450 mijë qytetarë në rrugë kundër qeverisë: Mos prekni mediat publike

20:30, 15/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qindra mijëra qytetarë kanë protestuar të dielën në Pragë kundër planit të qeverisë çeke për ndryshimin e mënyrës së financimit të mediave publike, duke e cilësuar reformën si një rrezik për pavarësinë e tyre editoriale.

Sipas organizatorëve, në protestën e zhvilluar më 15 nëntor morën pjesë 350 mijë deri në 450 mijë persona. Nëse këto shifra konfirmohen, demonstrata mund të jetë më e madhja në Çeki që nga rënia e regjimit komunist në vitin 1989.

Në fokus të kundërshtimeve është plani i kryeministrit Andrej Babiš për të hequr tarifat që qytetarët dhe bizneset paguajnë për televizionin dhe radion publike, duke i kaluar këto institucione në financim të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit.

Protestuesit paralajmërojnë se një ndryshim i tillë mund t'i bëjë mediat më të varura nga qeveria. Gjithashtu, reforma parashikon një ulje me rreth 15 për qind të burimeve financiare të transmetuesve publikë.

Demonstrata u organizua nga lëvizja qytetare “Një milion çaste për demokracinë”, e cila kërkon tërheqjen e projektligjit. Organizatorët kanë kundërshtuar edhe mënyrën e ndjekjes së procedurave parlamentare, pasi më 24 tetor shumica qeverisëse e çoi përpara projektligjin në orën 04:36 të mëngjesit, pas një debati gjatë natës.

Kjo orë u kthye në simbol të protestës, e cila u mbajt në parkun historik Letná, të njëjtin vend ku qytetarët çekë u mblodhën gjatë Revolucionit të Kadifenjtë në vitin 1989.

Nga ana tjetër, kryeministri Babiš ka mohuar se qeveria synon të kontrollojë mediat publike. Ai ka mbrojtur reformën, duke argumentuar se sistemi aktual i financimit është i vjetruar, ndërsa ka konfirmuar se plani do të vijojë pavarësisht kundërshtimeve.

Çështja ka tërhequr edhe vëmendjen e institucioneve evropiane. Komisioneri për Drejtësinë, Michael McGrath, ka theksuar se financimi i mediave publike duhet të jetë transparent, objektiv, i mjaftueshëm dhe i parashikueshëm.

Protesta u zhvillua dy ditë përpara 17 nëntorit, përvjetorit të demonstratave që çuan në përmbysjen e regjimit komunist në Çekosllovaki. Ndërkohë, kundërshtitë ndaj reformës vijojnë, ndërsa qeveria mbetet e vendosur ta çojë atë përpara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco