Planet e SHBA-së për të dëbuar 150 afganë drejt vendit të tyre përmes Pakistanit kanë sjellë frikë për sigurinë e tyre dhe kanë nxitur një varg seancash gjyqësore, të cilat deri më tani kanë penguar nisjen e fluturimit.

Por, këtë javë, aktivistët dhe ligjvënësit kanë promovuar në Kapitolin amerikan një projektligj që synon të sigurojë mbrojtje afatgjatë për mijëra afganë në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Demokratët do të mund ta imponojnë mbajtjen e një votimi në Dhomën e Përfaqësuesve kur shumica e tyre e re të marrë kontrollin e Kongresit në janar. Por, këtë javë janë mbajtur dhjetëra takime me synimin për të siguruar mbështetje dypartiake, duke pasur parasysh urgjencën e situatës lidhur me fluturimet e planifikuara.

“Çështja është që të përpiqemi ta miratojmë sa më shpejt gjatë këtij mandati, për të siguruar që të ushtrojmë presion për ndalimin e këtyre fluturimeve”, i tha Radios Evropa e Lirë kongresisti demokrat, Scott Peters. “Po punojmë edhe me republikanë që mendojmë se mund ta mbështesin këtë nismë”.

Mbrojtje e përkohshme
Autoritetet amerikane ua hoqën mijëra afganëve Statusin e Mbrojtjes së Përkohshme (TPS) në maj të vitit të kaluar.

“Situata e sigurisë në Afganistan është përmirësuar dhe ekonomia e tij, e cila po stabilizohet, nuk i pengon më ata të kthehen në vendin e tyre”, tha në atë kohë sekretarja e atëhershme e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem.

Pasardhësi i Noem, Markwayne Mullin, nuk duket se ka komentuar posaçërisht për TPS-në e afganëve. Por, duke folur në terma më të përgjithshëm për veprimet e administratës Trump për heqjen e statusit TPS për 13 shtete, ai ka deklaruar se “TPS-ja ishte e përkohshme dhe asnjëherë nuk ishte menduar të shndërrohej në një status të përhershëm”.

“Ju patët mundësinë, gjatë kohës që ishit këtu, të përpiqeshit ta ndryshonit statusin tuaj”, u tha Mullin gazetarëve në një konferencë për media në Nju Jork më 1 korrik. “Duhet të ktheheni në një vend që ose do t’ju pranojë, ose në vendin nga i cili keni ardhur”.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) vlerësoi vitin e kaluar se rreth 11.700 shtetas afganë kishin statusin TPS.

Projektligji i ri, i quajtur Akti për TPS-në e Afganistanit, do t’ua rikthente këtë status. Ai do ta bënte TPS-në të qasshme edhe për afganë të tjerë, përfshirë të paktën disa nga 150 personat që janë në listën e fluturimit të planifikuar për dëbim.

Projektligji u hartua nga kongresisti demokrat Jason Crow, i cili shërbeu në Afganistan me ushtrinë amerikane. Këtë javë, ai ka marrë pjesë në përpjekjet për të siguruar mbështetje në Uashington, së bashku me veteranë amerikanë dhe afganë të luftës 20-vjeçare të udhëhequr nga SHBA-ja kundër talibanëve dhe Al-Kaedës, e cila pasoi sulmet e 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe Uashington.

“Partnerët tanë afganë rrezikuan jetën e tyre për të ndihmuar në mbrojtjen e pjesëtarëve të ushtrisë amerikane, si unë”, tha Crow. “Pas më shumë se dy dekadash lufte, ne premtuam se do të kujdeseshim për ta. Përmbushja e këtij premtimi është një domosdoshmëri morale dhe e sigurisë kombëtare”.

Çështja e dëbimeve po shkakton shqetësim të madh në mesin e komunitetit afgan në Shtetet e Bashkuara. Disa persona i kanë thënë Radio Azadi të REL-it se janë të shqetësuar për veten ose për të afërmit e tyre.

“Familjet në komunitetet tona kanë frikë”, i tha këtë javë një takimi publik në Sakramento të Kalifornisë Zarif Aminyar, një drejtues biznesi dhe aktivist me origjinë afgane. Në këtë qytet jeton një nga diasporat më të mëdha afgane në vend. “Ata kanë frikë se vendi ku kërkuan siguri nuk po e sheh më njerëzimin e tyre”.
Fluturimet për dëbim
Disa media amerikane raportuan në fillim të nëntorit se autoritetet amerikane planifikonin të dëbonin 150 afganë përmes një fluturimi nga Luiziana drejt Pakistanit dhe më pas për në Afganistan.

Një vendim gjykate i 3 nëntorit lëshoi një urdhër të përkohshëm ndalues për katër ditë. Një vendim tjetër, më 7 nëntor, e zgjati këtë masë pa një afat të caktuar.

“Padia pretendon më se mjaftueshëm se shtetasit afganë përballen me rrezikun e dëmit të pariparueshëm nëse dëbohen nga ky vend dhe dërgohen në Pakistan për t’u dorëzuar te talibanët”, thuhej në vendimin e gjyqtarit Victor Marrero të 7 nëntorit.

Megjithatë, ky vendim zbatohet vetëm për pesë persona që përfaqësohen nga Project Rousseau, një organizatë joqeveritare amerikane që e dërgoi çështjen në gjykatë.

Shawn VanDiver, një ish-pjesëtar i ushtrisë dhe drejtues i AfghanEvac, një grup që po zhvillon fushatë për këtë çështje, i tha Radios Evropa e Lirë se një fluturim për dëbim ishte planifikuar për javën e ardhshme.

“Fluturimi për 150 personat është riplanifikuar për 16 nëntor”, tha ai. “Të gjithë kanë vendime përfundimtare për dëbim”.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare nuk pranoi ta konfirmonte këtë fluturim.

“Për arsye të sigurisë operacionale dhe sigurisë së zyrtarëve tanë, ne nuk do të konfirmonim operacione të ardhshme të dëbimit”, i tha një zëdhënës Radios Evropa e Lirë.

“Statusi i Mbrojtjes së Përkohshme (TPS) është pikërisht ajo që thotë emri – i përkohshëm. Për një kohë të gjatë, TPS-së i është lejuar të funksionojë si një program amnistie de facto, ndonëse Kongresi nuk kishte synuar kurrë që ai të ishte i përhershëm”, tha ai.

“Ajo që do të thoshim tani është: Koha po mbaron… Lajmi i mirë është se nuk është ende tepër vonë për të marrë një çek prej 3.000 dollarësh dhe një fluturim falas për t’u kthyer në shtëpi”, shtoi ai, duke iu referuar kushteve të një programi për dëbim vullnetar.
218 vota
Mbështetësit e projektligjit kanë nevojë për 218 nënshkrime në një peticion për shkarkimin e projektligjit nga komisioni, në mënyrë që të detyrojnë mbajtjen e një votimi në Dhomën e Përfaqësuesve. Kjo kërkon mbështetjen e të paktën katër ligjvënësve përtej 214 demokratëve që përbëjnë këtë dhomë. Kongresistët republikanë që po largohen nga detyra, Don Bacon dhe Brian K. Fitzpatrick, janë ndër mbështetësit e projektligjit.

Ky akt “ofron mbrojtje të përkohshme dhe autorizim për punësim për afganët që i plotësojnë kushtet dhe që tashmë ndodhen këtu, ndërsa kërkon mbledhjen e të dhënave biometrike dhe biografike, si dhe kontrolle të historikut kriminal dhe të sigurisë kombëtare”, deklaroi Bacon kur u prezantua projektligji.

“Kjo nuk është një formë e përhershme e statusit të imigracionit”, shtoi Bacon.

Nëse projektligji miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe më pas në Senat, shtrohet një tjetër pyetje: a do ta nënshkruajë presidenti i SHBA-së, Donald Trump?

“E dini, një hap pas tjetrit, apo jo? Dua të them, ky do të ishte një problem i mirë për ta pasur, nëse arrijmë ta miratojmë këtë projektligj në Kongres”, tha Peters, i cili hartoi një letër të hapur, të nënshkruar nga 66 ligjvënës demokratë, ku i bënin thirrje Mullin dhe sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, që ta ndalonin fluturimin për dëbim.

Ai shtoi se Trump mund të mos ketë nevojë ta nënshkruajë atë.

“Edhe në raste kur nuk e ka nënshkruar një projektligj, ai e ka marrë parasysh sinjalin politik dhe ka bashkëpunuar. Dhe çdo mënyrë që mund të përdorim për t’i ndaluar këto fluturime do të ishte e mirëpritur”./REL

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb