Sekretari i Transportit, Sean Duffy, deklaroi të shtunën se të gjitha sistemet e Administratës Federale të Aviacionit (FAA) janë rikthyer në «funksionim të plotë», pas një ndërprerjeje disaorëshe të premten në mbrëmje, e cila çoi në pezullimin e të gjithë trafikut ajror në SHBA.
Duffy përsëriti thirrjen e tij drejtuar Kongresit për të financuar modernizimin e pajisjeve të kontrollit të trafikut ajror në vend, duke shpjeguar se përditësimet e duhura mund ta kishin parandaluar pezullimin e fluturimeve.
Duffy shpjegoi se ndërprerja u shkaktua gjatë punimeve rutinë të mirëmbajtjes nga një kontraktor në një linjë telekomunikacioni, me qëllim zëvendësimin e një kablloje bakri me një kabllo me fibra optike dhe instalimin e një ruteri të ri.
«Kablloja ishte aq e vjetër sa po nxirrej jashtë përdorimit, që do të thoshte se ajo linjë do të çaktivizohej. Prandaj, na u desh ta zëvendësonim kabllon e vjetër prej bakri», tha Duffy.
Ai tha se ende nuk është e qartë nëse ndërprerja ndodhi për shkak të një gabimi të kontraktorit apo të pajisjeve me defekt, por autoritetet po punojnë për të përcaktuar shkakun.
Administratori i FAA-së, Bryan Bedford, paralajmëroi se deri në 5 mijë anulime fluturimesh mund të vijojnë gjatë gjithë ditës së sotme, por kompanitë ajrore e kanë siguruar agjencinë se operacionet duhet të kthehen në normalitet deri në fund të së dielës.
«Mendoj se më e keqja ka kaluar, por kemi ende një punë të konsiderueshme për të rikuperuar plotësisht situatën», tha Bedford.
Sipas të dhënave të FlightAware, deri në orën 11:50 paradite, sipas orës lindore të SHBA-së, ishin anuluar më shumë se 4 700 fluturime ndërkombëtare dhe të brendshme, ndërsa mbi 13 500 të tjera ishin vonuar.
Pamja më e gjerë: Bedford dhe Duffy thanë se urdhri për pezullimin e fluturimeve u dha si masë paraprake, për të garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazheve të avionëve.
Bedford shtoi se nuk kanë asnjë arsye të besojnë se ndërprerja u shkaktua nga një sulm kibernetik apo nga ndonjë problem që lidhet me inteligjencën artificiale.
«Nuk kemi asnjë provë për ndonjë veprim keqdashës», tha Bedford.
Detajet: Duffy e shfrytëzoi konferencën për shtyp për t’i kërkuar sërish Kongresit financimin e modernizimit të sistemit të vjetëruar të kontrollit të trafikut ajror.
Më parë, Duffy kishte deklaruar se FAA-së i nevojiten 30 miliardë dollarë për të modernizuar aeroportet dhe sistemin e kontrollit të trafikut ajror. Në korrik 2025, Kongresi kishte miratuar më parë një fond prej 12,5 miliardë dollarësh për modernizimin deri në vitin 2030.
Pas ndërprerjes së së premtes, Duffy e rriti kërkesën për financim në 50 miliardë dollarë.
«Për mua, bëhet zhgënjyese kur të gjithë thonë se duan ta bëjnë këtë, presidenti po ushtron presion për këtë çështje, por ne nuk marrim burimet e nevojshme», tha Duffy. «Mendoj se ky është momenti i duhur. Nëse nuk fillojmë t’i zëvendësojmë sistemet tona, sa gjatë do të presim ende, Amerika dhe Kongresi? Mendoj se kjo ngjarje është një sinjal që ata duhet ta marrin seriozisht çështjen. Kjo është një çështje që bashkon të dyja partitë».
Bedford dha një vlerësim të drejtpërdrejtë kur gazetarët e pyetën për gjendjen e sistemit, duke thënë se është «sekreti më i keqmbajtur i qeverisë» që ai ka nevojë për modernizim.
«Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbajtur sistemin ekzistues në funksionim, me burimet financiare që kemi», tha ai.
«Por, le të mos gënjejmë veten», vijoi Bedford. «Ai do të vazhdojë të pësojë defekte derisa ta zëvendësojmë».
https://www.axios.com/2026/11/14/faa-ground-stop-outage-update