Kompania Meta është përballur me një gjobë prej 805 milionë eurosh nga Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pas dyshimeve për shkelje të privatësisë së përdoruesve të Facebook-ut në pajisjet Android.
Sipas hetimit, aplikacioni dyshohet se kishte mundësi të aksesonte fotografitë, videot dhe informacionet shoqëruese të ruajtura në telefonat e përdoruesve italianë, pa siguruar më parë një pëlqim të qartë dhe të informuar për përdorimin e tyre.
Në qendër të hetimit ishte një funksion i prezantuar në vitin 2023, i quajtur “Merr sugjerime nga galeria kur shfleton Facebook-un”. Ky opsion u mundësonte përdoruesve të merrnin ide për postime duke u bazuar në materialet fotografike dhe videot e ruajtura në pajisjet e tyre.
Por autoritetet konstatuan se mënyra e marrjes së autorizimit nuk ishte transparente. Aplikacioni kërkonte një leje të përgjithshme, pa sqaruar konkretisht se si do të përpunoheshin të dhënat personale. Gjithashtu, funksioni ishte i aktivizuar paraprakisht, duke krijuar mundësinë që Facebook të kishte akses të vazhdueshëm në galerinë e telefonit.
Procedura hetimore nisi në korrik të vitit 2025, pas një ankese të depozituar nga Qendra për Mbrojtjen e Konsumatorëve në Bolzano. Sipas autoritetit italian, praktika e ndjekur nga Meta bie ndesh me nenin 122 të Kodit të Privatësisë, i cili garanton mbrojtjen e të dhënave të ruajtura në pajisjet elektronike.
Nga ana tjetër, kompania Meta ka kundërshtuar vendimin, duke deklaruar se nuk pajtohet me interpretimin e fakteve dhe të legjislacionit. Përfaqësuesit e saj e kanë cilësuar gjobën joproporcionale, duke argumentuar se funksioni shërbente vetëm për të ndihmuar përdoruesit në publikimin e përmbajtjeve dhe aktivizohej përmes autorizimit në pajisje.
Në përcaktimin e gjobës, autoritetet morën parasysh edhe numrin e konsiderueshëm të personave që mund të jenë prekur nga kjo praktikë, rreth 20 milionë përdorues të Android-it në Itali, si dhe kohëzgjatjen e shkeljes dhe bashkëpunimin e kufizuar të kompanisë gjatë hetimit.
Autoriteti sqaroi se çështja nuk lidhet me përdorimin e fotografive për trajnimin e inteligjencës artificiale, por paralajmëroi se mund të kryejë kontrolle të tjera për një funksion të ri të përpunimit në cloud, të prezantuar nga Meta në vitin 2026.
Vendimi parashikon që kompania të ndryshojë mënyrën e funksionimit të këtij opsioni. Brenda 60 ditëve, ai duhet të jetë i çaktivizuar si parazgjedhje, edhe për përdoruesit që e kishin autorizuar më herët. Gjithashtu, Meta duhet të vendosë një procedurë të veçantë dhe transparente për marrjen e pëlqimit.
Kompania ka 30 ditë për të raportuar masat e marra dhe 90 ditë për të paraqitur informacion mbi zbatimin e plotë të kërkesave të autoritetit.
