Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut paralajmërojnë rikthimin e protestave nëse qeveria e Hristjan Mickoskit nuk jep një përgjigje konkrete lidhur me zhvillimin e plotë të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ata kundërshtojnë vendimin e qeverisë për t’i dërguar çështjen për opinion Komisionit të Venecias, duke e cilësuar këtë hap si një përpjekje për zvarritje.
Sipas modelit që qeveria i ka dorëzuar Komisionit të Venecias, vetëm pjesa teorike me shkrim e provimit parashikohet të jepet në katër gjuhë — shqip, maqedonisht, anglisht dhe turqisht. Pjesa praktike, sipas këtij modeli, do të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase; pjesa praktike me gojë do të jetë e detyrueshme të bëhet në maqedonisht dhe me alfabet cirilik. Studentët shqiptarë kërkojnë që të dy pjesët e provimit — teorike dhe praktike — të jepen edhe në gjuhën shqipe, ashtu siç kanë zhvilluar studimet e tyre universitare.
Studentët vlerësojnë se dërgimi i çështjes në Venecia pas nëntë muajsh pritje është një manovër politike për të shtyrë zgjidhjen dhe konsiderojnë se përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është tashmë i rregulluar nga Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, ndaj sipas tyre nuk ka nevojë për vlerësime shtesë. Para se të rikthehen në protesta, ata kërkojnë një takim të fundit me institucionet për të marrë një përgjigje të qartë se kur dhe si do të mundësohet dhënia e plotë të provimit në gjuhën shqipe.
Lëvizja e studentëve është e lidhur drejtpërdrejt me procesin e organizimit të provimit të jurisprudencës dhe me zbatimin praktik të të drejtave gjuhësore sipas legjislacionit në fuqi. Sqarimet e mëtejshme dhe afatet e mundshme për zgjidhjen e çështjes mbeten të pritura nga institucionet shtetërore. Top Channel.
