Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, i ka kërkuar kompanisë Nvidia të japë shpjegime mbi dyshimet se mund të ketë mbyllur sytë ndaj trafikimit të paligjshëm të procesorëve të inteligjencës artificiale drejt Kinës, në shkelje të kufizimeve amerikane të eksportit.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, Bessent kërkon të mësojë nëse kompania ka pasur dijeni për përdorimin e kompanive ndërmjetëse për të anashkaluar kontrollet dhe për të dërguar çipa në tregun kinez.
Ai i ka kërkuar bordit të Nvidia-s përgjigje dhe përfundimin e një hetimi të brendshëm brenda dhjetë ditëve. Çështja lidhet edhe me kompaninë Megaspeed, me seli në Singapor, e dyshuar për dërgimin e procesorëve Nvidia në Kinë. Për këtë rast, autoritetet amerikane kanë nisur një hetim penal.
Ndërkohë, Bessent minimizoi rëndësinë e marrëdhënies së ish-drejtuesit të Nvidia-s, Jensen Huang, me një grua kineze të dyshuar për spiunazh, duke theksuar se shqetësimi kryesor mbetet respektimi i rregullave të sigurisë dhe kufizimeve tregtare nga kompania.
Nvidia ka mohuar më herët akuzat lidhur me këtë çështje. Ndërkohë, drejtuesit e kompanisë dhe zyrtarë të administratës amerikane pritet të japin dëshmi para Kongresit në javët në vijim.













