Një biografi e re kushtuar presidentit francez Emmanuel Macron hedh dritë mbi personalitetin e tij, dhe përvojat e fëmijërisë dhe marrëdhëniet familjare.
Gazetarja franceze Catherine Nay, në librin e saj të ri, e përshkruan Macronin si një njeri me inteligjencë të spikatur dhe ambicie të mëdha, por që, sipas saj, ka vështirësi të pranojë kritikat, të njohë gabimet dhe të vërë në pikëpyetje vendimet e veta.
Vetë Macron ka pranuar se nuk ka pasur një fëmijëri të zakonshme dhe se, siç shprehet në librin e Catherine Nay, “nuk ka qenë kurrë adoleshent”. Sipas autores, ndikimi i fortë i gjyshes e ka orientuar drejt librave, kulturës dhe botës së të rriturve, duke e mbajtur larg përvojave dhe marrëdhënieve të zakonshme me bashkëmoshatarët
Sipas biografisë, lidhjet e tij me figura më të rritura kanë ndikuar në formimin emocional dhe mënyrën se si ai ndërton marrëdhënie me të tjerët. Në këtë kontekst, Nay ndalet edhe te raporti me Brigitte Macron, ish-mësuesen e tij, 24 vite më të madhe, e cila më vonë u bë bashkëshortja e presidentit francez.
Autorja argumenton se këto përvoja kanë luajtur rol në zhvillimin e personalitetit të Macronit, duke ndikuar në mënyrën se si ai përballet me kundërshtimet dhe krijon marrëdhënie personale e profesionale.
Portreti i paraqitur në libër është ai i një politikani me vetëbesim të jashtëzakonshëm, aftësi të forta bindëse dhe besim të palëkundur në gjykimin e tij. Megjithatë, pikërisht këto cilësi, që e kanë ndihmuar të ngjitet me shpejtësi në majat e politikës franceze, sipas Nay, mund të kthehen edhe në dobësi.
Macron u zgjodh president i Francës në vitin 2017, në moshën 39-vjeçare, duke u bërë një nga liderët më të rinj në historinë moderne të vendit.
Sipas interpretimeve të autores, vështirësia për të pranuar kundërshtimin dhe për të rishikuar vendimet personale mund të ketë ndikuar edhe në stilin e tij të qeverisjes. Kështu, biografia përpiqet të lidhë historinë personale të Macronit me mënyrën se si ai ushtron pushtetin, duke paraqitur një portret që ndërthur talentin, ambicien dhe vështirësinë për të pranuar se mund të gabojë.










Komente
Komento