Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po përgatiten të rikthehen në protesta nëse qeveria e Hristijan Mickoskit nuk jep një zgjidhje konkrete për zhvillimin e provimit të jurisprudencës tërësisht në gjuhën shqipe.

Vendimi i qeverisë për t’ia përcjellë çështjen Komisionit të Venecias ka shtuar pakënaqësinë e studentëve, të cilët e konsiderojnë këtë veprim një strategji për të shtyrë më tej zgjidhjen e kërkesës së tyre.

Propozimi i dërguar për shqyrtim parashikon që pjesa teorike me shkrim të zhvillohet në disa gjuhë, përfshirë shqipen, ndërsa pjesa praktike me gojë të mbahet ekskluzivisht në maqedonisht dhe me alfabet cirilik.

Studentët kundërshtojnë këtë ndarje dhe kërkojnë që të dyja fazat e provimit të zhvillohen në gjuhën shqipe, duke argumentuar se kanë ndjekur studimet universitare në këtë gjuhë dhe se e drejta e përdorimit të saj garantohet nga Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve.

Ata e cilësojnë të pajustifikuar pritjen prej nëntë muajsh dhe dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias, duke kërkuar që institucionet të mos e përdorin këtë proces për të zvarritur vendimmarrjen.

Përpara organizimit të protestave të reja, studentët kërkojnë një takim përfundimtar me përfaqësuesit e institucioneve, nga të cilët presin një përgjigje të qartë për afatin dhe mënyrën e realizimit të provimit të jurisprudencës në shqip.