Tregu i zi i duhanit në Australi shënoi rënien e parë në pesë vitet e fundit, pas një periudhe të gjatë zgjerimi, ndërsa autoritetet shtuan aksionet kundër tregtisë së paligjshme. Sipas mediave australiane, gjatë vitit të fundit financiar sasia e produkteve të kontrabanduara në qarkullim u ul me 24%, ndërsa sekuestrimet e cigareve dhe produkteve të tjera të paligjshme arritën nivele rekord.
Të dhënat e Komisionit për Duhanin dhe Cigaret Elektronike të Paligjshme tregojnë se tregu i produkteve kontrabandë mund të jetë tkurrur deri në 1,438 tonë, megjithëse autoritetet paralajmërojnë se përmasat e sakta të këtij aktiviteti është e vështirë të përcaktohen. Rënia vjen pas pesë vitesh rritjeje të konsiderueshme të sasisë së duhanit të paligjshëm në tregun australian.
Ndihmësministri australian për Doganat, Julian Hill, tha se masat e ndërmarra nga qeveria kundër rrjeteve të kontrabandës po japin efekt. “Çdo cigare e paligjshme e sekuestruar, çdo dyqan i mbyllur dhe çdo rrjet i goditur u dërgon të njëjtin mesazh kriminelëve: ne e dimë kush jeni, si veproni dhe po vijmë pas jush dhe fitimeve tuaja”, deklaroi Hill, duke theksuar se investimet e qeverisë në forcimin e kontrolleve dhe masat e shëndetit publik për uljen e kërkesës për produktet e paligjshme kanë ndikuar në këtë rezultat.
Shifrat e Forcës Kufitare Australiane tregojnë se vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit financiar aktual janë sekuestruar më shumë se 730 tonë duhan i paligjshëm, sasia më e lartë e regjistruar ndonjëherë në këtë periudhë. Në operacionet e autoriteteve janë sekuestruar gjithashtu 3.75 milionë cigare elektronike (vape), një rritje prej 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pavarësisht rënies së tregut të zi, shifrat e sekuestrimeve nënvizojnë se kontrabanda e duhanit dhe cigareve elektronike mbetet një sfidë e rëndësishme për autoritetet australiane.
