Një kameraman i kanalit francez të lajmeve BFMTV u ndoq dhe u dhunua nga protestuesit në Lion, të cilët i shkatërruan dhe i vodhën pajisjet, sipas raportimeve lokale dhe pamjeve nga vendngjarja.
Sulmi ndodhi të shtunën, ndërsa mijëra persona marshonin në qytetin juglindor të Francës, duke kërkuar kushte më të mira jetese dhe kundërshtuar një projektligj që do t’i njihte policisë prezumimin e vetëmbrojtjes kur përdor armë zjarri. Kundërshtarët e projektligjit e kanë dënuar atë si një “licencë për të vrarë”.
Sipas Lyon Mag, kameramani po filmonte pranë një barrikade në flakë në Avenue Berthelot, kur disa persona e njohën, iu vunë pas dhe e godi
Ekipi televiziv përbëhej nga dy gazetarë dhe dy punonjës sigurie, njëri prej të cilëve u pa teksa përpiqej të neutralizonte disa nga sulmuesit. Ngjarja ndodhi në një pjesë veçanërisht të tensionuar të protestës, ku aktivistë të maskuar po hidhnin sende të forta dhe fishekzjarrë drejt policisë, duke bërë që kjo e fundit të përdorte gaz lotsjellës, shkruan Rt.
Një gazetar i pavarur, dëshmitar i sulmit, i tha AFP-së se situata ishte “shumë, shumë e tensionuar”, duke shtuar: “Më duhej ta hiqja vetë kartën e identifikimit si gazetar, përndryshe edhe mua do të më kishin linçuar.”
Kameramani kërkoi ndihmë mjekësore. Ministria e Brendshme bëri të ditur se të paktën një person i dyshuar për sulmin është arrestuar.
BFMTV e cilësoi sulmin “të papranueshëm” dhe tha se do t’i mbështesë gazetarët e saj në paraqitjen e kallëzimeve. Në fund të shtatorit, dy gazetarë të tjerë të BFMTV-së u sulmuan teksa raportonin për bllokimin e shkollave në Saint-Denis, një periferi në veri të Parisit, e njohur për nivelet e larta të kriminalitetit.
Ndonëse nuk ka asnjë të dhënë se ekipi i BFMTV-së i provokoi në ndonjë mënyrë aktivistët, rrjeti televiziv është përballur me armiqësi gjithnjë e më të madhe nga protestuesit e majtë, të cilët e akuzojnë se përhap narrativa të së djathtës dhe u kushton vëmendje joproporcionale çështjeve të emigracionit dhe sigurisë.
Pakënaqësia u shtua gjithashtu pasi BFMTV punësoi moderatoren Sonia Mabrouk, e cila më parë punonte për kanalin konservator CNews. Ajo zhvilloi intervista me politikanët e djathtë Eric Ciotti dhe Eric Zemmour. Gjatë diskutimeve për trazirat në Francë, të ftuarit përdorën përkatësisht shprehjet “intifada franceze” dhe “llum arab-mysliman”.
Politikat e reja editoriale të BFMTV-së shkaktuan gjithashtu një revoltë të brendshme, ku më shumë se 200 gazetarë nënshkruan një letër të hapur drejtuar drejtuesve, duke u kërkuar atyre të “shkëputen nga ky imazh i një kanali racist”. Drejtuesit e rrjetit e hodhën poshtë këtë akuzë, por njoftuan plane për të diversifikuar të ftuarit politikë.
Sulmi ndodhi në një periudhë trazirash që kanë përfshirë vendin prej javësh, për shkak të rritjes së kostos së jetesës, pagave të ulëta, problemeve në arsim dhe dhunës policore. Muajin e kaluar, protestat u shndërruan në përplasje të dhunshme në shkallë të gjerë, ndërsa në disa qytete të mëdha u raportuan grabitje dhe zjarrvënie. Policia bëri të ditur se kishte kryer disa mijëra arrestime.
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, demonstratat e së shtunës mblodhën rreth 106 mijë persona në mbarë vendin, ndërsa vetëm në Lion marshuan më shumë se 8 mijë vetë. Qyteti ishte ndër më të goditurit në kulmin e protestave, më 17 tetor, kur traziraxhinjtë i vunë zjarrin zyrës lokale të turizmit dhe plaçkitën dhjetëra dyqane.