Hakerë të lidhur me Korenë e Veriut kanë vjedhur më shumë se 400 milionë dollarë në kriptovaluta gjatë 18 muajve të fundit përmes një skeme mashtrimi që përdorte video-thirrjet e rreme dhe inteligjencën artificiale. Sipas FBI, operacioni i njohur si “FaceStealer” synonte kryesisht persona që punojnë në sektorin e kriptovalutave dhe Web3, si edhe zhvillues të programeve me kod të hapur.
Metoda e sulmit fillonte me komprometimin e llogarive, të cilat përdroheshin për të dërguar ftesa për takime virtuale duke u paraqitur si persona të njohur për viktimat. Gjatë video-thirrjeve, sulmuesit përdornin pamje të regjistruara më parë dhe materiale video të krijuara me inteligjencë artificiale për të fituar besimin e të ftuarve. Pasi krijonin besimin, ata paraqisnin një problem teknik të rremë dhe i kërkonin viktimave të klikojnë në një lidhje për ta zgjidhur çështjen.
Klikimi në lidhje çonte në instalimin e programeve keqdashëse në pajisjet e viktimave, duke i dhënë sulmuesve mundësi për të vjedhur kriptovaluta dhe për të marrë kontrollin e llogarive. Autoritetet amerikane raportojnë se në disa raste vjedhjet kanë vazhduar muaj, madje më shumë se një vit pas komprometimit fillestar të pajisjeve, që tregon se kontrolli mbi sistemet e viktimave mund të ishte i vazhdueshëm.
Si pjesë të përgjigjes së tyre, agjencitë amerikane kanë ndërmarrë masa hetimore dhe operative: FBI-ja ka sekuestruar më shumë se 900 video të regjistruara nga kamerat e viktimave, ndërsa Departamenti amerikan i Drejtësisë ka njoftuar se ka ndërprerë infrastrukturën digjitale të përdorur në këtë skemë. Autoritetet gjithashtu kanë paralajmëruar se vjedhjet e kriptovalutave përbëjnë një nga burimet e financimit të aktiviteteve të paligjshme të regjimit të Koresë së Veriut.
Raporti dhe veprimet e institucioneve amerikane vijnë pas identifikimit të skemës dhe pas një periudhe hetimesh që zbuluan mënyrën e organizimit dhe zbatimit të sulmeve ndaj profesionistëve në fushën e teknologjisë së kriptomonedhave. Top Channel.