Çeki - Mijëra qytetarë u mblodhën sot në qendër të Pragës për të protestuar kundër planit të qeverisë çeke për të hequr tarifën e licencës për televizionin dhe radion publike dhe për ta zëvendësuar atë me financim nga buxheti i shtetit. Protestuesit paralajmërojnë se ndryshimi i skemës së financimit mund t’u japë politikanëve më shumë ndikim mbi median publike dhe të rrezikojë lirinë e shtypit.

Protesta e së dielës u organizua nga shoqata “Milion Momente për Demokraci”, e cila pretendoi se në tubim morën pjesë rreth 400 mijë persona. Kundërshtimet janë shtuar që prej muajit të kaluar, kur parlamenti miratoi draftin e parë të propozimit të qeverisë.

Aktualisht, familjet çeke paguajnë 205 korona në muaj, rreth 9.44 dollarë, për financimin e televizionit dhe radios publike.

Qeveria e koalicionit, e përbërë nga partia populiste ANO dhe dy parti euroskeptike të krahut të djathtë, këmbëngul se ndryshimi nuk do të cenojë pavarësinë editoriale të transmetuesve publikë. Kryeministri Andrej Babis ka mohuar se synimi është vendosja e kontrollit politik mbi median, duke argumentuar se sistemi aktual i financimit është i vjetëruar dhe se transmetuesit duhet të reduktojnë kostot.

“Sistemi i financimit po ndryshon, askush nuk dëshiron të kontrollojë median publike, askush nuk dëshiron t’u diktojë atyre se çfarë duhet të thonë dhe të bëjnë, askush nuk dëshiron t’i shtetëzojë ato”, deklaroi Babis për Agjencinë Çeke të Lajmeve.

Ai argumentoi gjithashtu se ndryshime të ngjashme janë ndërmarrë edhe në vende të tjera evropiane.

Kritikët e projektligjit kanë krahasuar nismën e qeverisë çeke me ndryshimet e ndërmarra në Hungari gjatë qeverisjes së Viktor Orbán, i cili u akuzua për vendosjen e kontrollit të fortë politik mbi median shtetërore, shkruan BBC.

Ndërkohë, disa vende evropiane, si Franca dhe Norvegjia, e kanë braktisur tashmë modelin e tarifës së licencës. Franca e hoqi atë në vitin 2022, duke kaluar në financimin e medias publike përmes një pjese të të ardhurave nga TVSH-ja. Norvegjia e ndërmori këtë ndryshim në vitin 2020, duke i transferuar fondet e transmetuesit publik në buxhetin kombëtar.

Shqetësimet për lirinë e medias janë shtuar edhe për shkak të përplasjeve të mëparshme mes kryeministrit Babis dhe mediave. Në qershor, Pavol Szalai, drejtor i Byrosë së Pragës të organizatës “Reporterë pa Kufij”, deklaroi se sulmet politike ndaj mediave private dhe publike janë bërë një prej tipareve dalluese të drejtimit të tij si kryeministër.