Italia ka pësuar një humbje të rëndë 4-1 përballë Belgjikës në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Nations League, duke humbur mundësinë për t’u kualifikuar në çerekfinale. Fitorja e Francës ndaj Turqisë vulosi fatin e grupit, me skuadrën italiane që e mbylli aventurën në vendin e tretë.
Ndeshja nisi mjaft mirë për të kaltërit, të cilët kaluan në avantazh në minutat e para. Pio Esposito u tregua i saktë, duke shfrytëzuar një pasim të Kayodes dhe duke dërguar topin në rrjetë. Megjithatë, epërsia zgjati vetëm katër minuta, pasi De Cuyper barazoi shifrat pas një aksioni të belgëve.
Më pas, vendasit morën plotësisht kontrollin e lojës. Ngoy përmbysi rezultatin, ndërsa Doku realizoi një gol fantastik pas një aksioni individual, duke e çuar rezultatin në 3-1 që në pjesën e parë.
Në fraksionin e dytë, Italia nuk arriti të reagonte, ndërsa Belgjika vazhdoi të krijonte raste të rrezikshme. De Ketelaere goditi traversën, përpara se Moreira të shënonte golin e katërt në minutën e 81-të.
Në fund, Italia pati mundësinë të shënonte golin e dytë, por Lammens priti penalltinë e Pio Espositos.
