Denoncimi i një banoreje të lagjes Dergut në Shkodër ka sjellë reagimin e Bashkisë, e cila ka ndërhyrë për pastrimin e mbeturinave dhe degëve të prera që prej ditësh qëndronin të grumbulluara buzë rrugës.
Banorja iu drejtua redaksisë së JOQ Albania duke ngritur shqetësimin se prej 10 ditësh mbeturinat nuk po largoheshin, ndërsa punonjësit e pastrimit zbraznin vetëm kazanët dhe linin pas tyre plehrat e degët e grumbulluara.
Pas publikimit të shqetësimit, punonjësit e shërbimeve bashkiake kanë ndërhyrë në zonë, duke mbledhur dhe larguar mbeturinat që kishin pushtuar hapësirën pranë rrugës.
Një tjetër denoncim që merr zgjidhje pas reagimit të qytetarëve dhe publikimit në JOQ Albania. Megjithatë, pastrimi i lagjeve nuk duhet të varet nga denoncimet në media, por të jetë pjesë e shërbimit të rregullt që Bashkia u detyrohet banorëve.