Pastrimi i brendësisë së veturës nuk kërkon domosdoshmërisht blerjen e produkteve të posaçme, ndonëse në treg ofrohen shumë të tilla.
Si mundësi praktike dhe me kosto të ulët mund të përdoret soda e bukës, e cila ndihmon në heqjen e njollave dhe në zbutjen e erërave të pakëndshme nga ulëset.
Të lidhura
None found
Pasta për pastrim përgatitet duke përzier dy lugë gjelle sodë buke me një lugë gjelle ujë, derisa masa të marrë trashësinë e duhur.
Mbulojeni njollën me këtë masë dhe prisni nga 30 sekonda deri në pesë minuta që ajo të veprojë. Në rastin e njollave më këmbëngulëse, koha e veprimit mund të zgjatet deri në 30 minuta.
Pas kësaj, punojeni zonën lehtë me furçë ose sfungjer, ndërsa mbetjet hiqini duke përdorur një leckë të njomur.
Kujdes i veçantë kërkohet për ulëset prej lëkure: mos i fërkoni me sodë buke, por respektoni udhëzimet që jep prodhuesi.
Përdorimi i sodës së bukës nuk kufizohet vetëm te njollat, pasi ajo mund të shërbejë edhe për pakësimin e aromave të pakëndshme në kabinën e veturës.
Për këtë qëllim, hidhni një sasi të vogël mbi materialin prej pëlhure dhe prisni të paktën 15 minuta. Më pas, thitheni sodën me fshesë elektrike.
Kjo mënyrë mund të japë rezultat ndaj erërave të lehta, por nuk siguron zhdukjen e aromave të forta, përfshirë atë të cigareve.
Kur papastërtia ka depërtuar më thellë, mund të kërkohet ndërhyrje profesionale. Për njollat e përditshme, megjithatë, soda e bukës ofron një alternativë ekonomike dhe të lehtë për t’u përdorur.








