Muzika e këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës "Oj Kosovo, Kosovo” është interpretuar në Bruksel, në hapje të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, që organizohet nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për zgjerim Marta Kos.
Sipas programit në mbrëmjen hapëse më 15 nëntor ishte parashikuar të interpretonte orkestra e të rinjve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me grupin slloven “Kapobanda”.
Pas këtij interpretimi reagimet kanë qenë të ashpra. Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka thënë se është skandaloze dhe e papranueshme ajo që ngjau në Bruksel dhe po pret përgjigje nga komisionerja për zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, nën udhëheqjen e të cilës po mbahet aktiviteti.
“Një këngë nacionaliste serbe, që mohon shtetësinë e Kosovës dhe që u shkrua në kohën kur kasapi i Ballkanit, Millosheviqi, po i shfuqizonte të drejtat e Kosovës dhe po e shtypte popullin tonë, u interpretua në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së. Kjo është skandaloze e papranueshme. Një aktivitet i BE-së për zgjerimin nuk mund t’i japë skenë nacionalizmit serb. Komisioneres Kos ia lëmë të shpjegojë se si ndodhi kjo dhe çfarë masash do të ndërmarrë, si dhe pse Kosova, vendi me përparimin më të madh demokratik në Ballkanin Perëndimor gjatë kësaj dekade dhe plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe vlerat e BE-së, nuk ishte ftuar”, ka shkruar Zulfaj në platformën “X”.
Ndërkohë kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka thënë se interpretimi i muzikës së këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian është e papranueshme.
“Në koncertin e hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian nën drejtimin e komisioneres Marta Kos, u interpretua kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Ky nuk është shkëmbim kulturor. Kënga promovon pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës. Përfshirja e saj në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është e papranueshme. Republika e Kosovës pret një sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Kos lidhur me mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua ky repertor. Vlerat evropiane, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe besueshmëria e procesit të zgjerimit të BE-së nuk mund të pajtohen me dhënien e një platforme pretendimeve irredentiste kundër një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Bajrami në platformën “X”.
Eurodeputeti estonez, Riho Terras, ka reaguar ndaj interpretimit të një kënge nacionaliste serbe me pretendime territoriale ndaj Kosovës, në një aktivitet të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Përmes një postimi në platformën X, Terras e ka cilësuar interpretimin e këngës si veprim jashtëzakonisht të papërshtatshëm, duke ngritur dilema nëse bëhej fjalë për një provokim të qëllimshëm apo për injorancë.
“Ose një provokim i qëllimshëm ose injorancë e pastër. Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe që pohon pretendime mbi Kosovën në një aktivitet për zgjerimin e BE-së është një gabim jashtëzakonisht i patakt dhe pa shije”, ka shkruar ai.
Foto: Postimi i Riho Terras









Komente
Komento