Miguel Ángel Félix Gallardo, i njohur si “kumbari” i trafikut modern të drogës në Meksikë dhe një prej trafikantëve më famëkeqë në vend, ka ndërruar jetë të dielën, në moshën 80-vjeçare.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Sigurisë së shtetit të Jaliscos, ku ai vuante dënimin, Gallardo ndërroi jetë më 15 nëntor në një spital, pasi pësoi dështim të shumëfishtë të organeve. Ai ishte transferuar në spital dy ditë para vdekjes, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, përcjell DW.
Gallardo ishte themeluesi i kartelit të Guadalajara-s, një prej organizatave të para të mëdha kriminale të trafikut të drogës në Meksikë, nga e cila më vonë u krijua edhe karteli i Sinaloas. Ai ndodhej në burg që prej vitit 1989, kur u arrestua dhe u dënua me 40 vite heqje lirie për trafik droge dhe armëmbajtje të paligjshme.
Ndërsa vuante dënimin, ndaj tij nisi një tjetër proces gjyqësor për rrëmbimin dhe vrasjen e një agjenti amerikan të luftës kundër drogës. Për këtë vepër, ai u dënua me 37 vite të tjera burgim, duke u kthyer në një prej figurave më famëkeqe të krimit të organizuar në Meksikë.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura të avokatëve për kalimin në arrest shtëpie, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, Gallardo qëndroi në një burg të sigurisë së lartë në shtetin perëndimor të Jaliscos.
I lindur në vitin 1946 në shtetin e Sinaloas, ai fillimisht punoi si oficer policie dhe truprojë e një guvernatori lokal. Më pas u përfshi në trafikun e drogës dhe u shndërrua në një nga drejtuesit më të fuqishëm të këtij aktiviteti kriminal, duke marrë nofkën “bosi i bosëve”.
Së bashku me persona të tjerë, Gallardo themeloi kartelin e Guadalajara-s, i cili organizoi në shkallë të gjerë transportin e kokainës drejt Shteteve të Bashkuara. Ai krijoi gjithashtu lidhje me kartelet kolumbiane të drogës, përfshirë kartelin e Medellín-it, të drejtuar nga Pablo Escobar.
Gjatë viteve 1970, ndikimi i tij u rrit ndjeshëm, ndërsa rrjeti i trafikut zgjerohej përmes korruptimit të zyrtarëve të zbatimit të ligjit dhe përdorimit të avionëve të vegjël për transportin e drogës.
Jeta dhe ngritja e tij në botën e krimit u trajtuan edhe në serialin e Netflix-it “Narcos: Mexico”, ku personazhi i Gallardos u interpretua nga aktori meksikan Diego Luna.
Në vitet e fundit të jetës, ai vuante nga probleme të rënda shëndetësore. Kishte humbur shikimin në njërin sy, dëgjimin dhe aftësinë për të ecur pa ndihmë. Megjithatë, ai kishte këmbëngulur se ishte i pafajshëm.