Duka: Edicion fantastik i Nations League, presim të njëjtin karakter e dëshirë nga skuadra
Pas fitores 0-2 me Bjellorusinë, që i siguroi Kombëtares shqiptare vendin e parë në grup dhe ngjitjen në Ligën B të Nations League, kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka reaguar me një postim falenderues. Ai ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës dhe ka uruar lojartët dhe stafin teknik për atë çfarë kanë treguar në fushë.
Duka ka theksuar se është koha për të festuar dhe se nga kjo skuadër pritet i njëjti karakter dhe dëshirë për të vazhduar me të tjera suksese.
Postimi i presidentit të FSHF-së, Armand Duka:
Sonte duhet vetëm të festojmë! Një edicion fantastik i Nations League! Me përjashtim të humbjes në Helsinki, që për mua ishte e pamerituar, dua të falënderoj dhe të uroj çunat për paraqitjet e tyre, për karakterin e treguar në çdo sfidë, për dëshirën dhe vendosmërinë për të fituar, për dashurinë ndaj fanellës kuqezi dhe për përkushtimin nga minuta e parë deri në vërshëllimën e fundit.
Një falënderim dhe urim i veçantë edhe për stafin teknik, për përkushtimin dhe punën e bërë, që u reflektua në një Kombëtare më të fortë, më bindëse dhe me rezultate krejt të tjera nga ato të qershorit. Nga kjo skuadër presim të njëjtin karakter, të njëjtën dëshirë dhe të tjera suksese në vazhdim.
Sonte duhet vetëm të festojmë! Vendin e parë në grup, kualifikimin në fazën tjetër të Ligës së Kombeve, ngjitjen në Ligën B dhe një rekord të ri për Kombëtaren tonë: 15 pikë të grumbulluara dhe plot 12 gola të shënuar në një edicion të Ligës së Kombeve! Urime Shqipëri, urime shqiptarë! Sonte duhet vetëm të festojmë!
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



