Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka mbetur i kënaqur nga fitorja 3-2 ndaj Spanjës në Nations League, sukses që I dha edhe vendin e parë në grup. Ai komentoi: “Një paraqitje e shkëlqyer në tërësi, ne ishim skuadra më e mirë. Ofruam një lojë fantastike nga fillimi e deri në fund”.
“Kartoni i kuq dhe penalltia janë gjithmonë vendime kyçe. Duhet të kuptoj pse kjo konsiderohet si një ‘ndëshkim i dyfishtë’. 30 minutat e fundit u dukën jashtëzakonisht të gjata, por nuk dua të ndalem gjatë te kjo. Pati shumë gjëra pozitive në 60 minutat e para. Fitorja është plotësisht e merituar“, tha gjermani.
“E dinim se na duhej një paraqitje e plotë dhe pikërisht këtë bëmë. Dhamë gjithçka. Ishim të guximshëm kur kishim topin, të duruar në mbrojtje, ambiciozë në zonën sulmuese, të qetë në gjysmëfushën tonë dhe i mbyllëm hapësirat në mënyrë efektive”, u shpreh Tuchel.
Më tej, ai shtoi: “Ishim plotësisht të përqendruar. Ishte një përpjekje kolektive fantastike, si për sa i përket shpirtit të garës, ashtu edhe energjisë. Sa i përket cilësisë së lojës sonë, ajo ishte në nivelin më të lartë.”
“E merituam fitoren dhe kjo është ajo që ka më shumë rëndësi. Qëndruam të përqendruar te paraqitja dhe qëndrimi ynë, dhe arritëm pikërisht atë që kishim planifikuar. Kam vetëm fjalë lavdërimi për ekipin“, tha Tuchel.







