Konflikt mes të burgosurve në burgun e Durrësit, një i plagosur me mjet prerës
Një konflikt mes dy të burgosurve në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Durrës ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre.
Ngjarja është regjistruar më 15 nëntor 2026, ku shtetasi i burgosur me inicialet M. B. ka goditur me një mjet prerës një tjetër të burgosur, me inicialet I. B., gjatë një konflikti mes tyre.
Sipas njoftimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), autori i dyshuar është arrestuar në flagrancë.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, të parashikuara nga nenet 89 dhe 324/a të Kodit Penal.
Ndërkohë, AMSEVP bën me dije se po vijojnë verifikimet për të evidentuar përgjegjësinë e mundshme të punonjësve të institucionit që mund të jenë përfshirë në shkelje ligjore.




