Brazili humbet ndaj Japonisë, Romario kërkon largimin e Ancelottit: Mblidh gjërat dhe ik

16 Nëntor 2026 | 08:51

Humbja 3-2 e Brazilit ndaj Japonisë në një ndeshje miqësore ka shkaktuar reagime të shumta në vendin amerikano-jugor. Në qendër të kritikave është vendosur trajneri Carlo Ancelotti, për të cilin legjenda e futbollit brazilian, Romario, kërkon largimin nga drejtimi i kombëtares.

Brazili e nisi keq takimin, duke pësuar dy gola brenda 19 minutave të para, të shënuar nga Takefusa Kubo dhe Keito Nakamura. Më pas, Vinicius Junior reagoi me dy gola, në minutat 33 dhe 75, duke rikthyer baraspeshën. Megjithatë, Tatsuhiro Sakamoto shënoi në minutën e 91-të, duke i dhënë Japonisë fitoren 3-2.

Në përfundim të ndeshjes pati protesta nga stoli i Brazilit, ndërsa trajneri Ancelotti dhe futbollisti Raphinha u ndëshkuan me kartonë të kuq.

Pas kësaj disfate, Romario, kampion bote me Brazilin në vitin 1994 dhe aktualisht senator, reagoi ashpër ndaj trajnerit italian, duke vënë në pikëpyetje rezultatet e tij në drejtimin e kombëtares, pavarësisht suksesit të madh në futbollin e klubeve.

“Ancelotti, mbaroi! Mblidh gjërat dhe ik! Askush nuk e vë në dyshim rekordin tënd. Je një nga trajnerët më të mëdhenj në historinë e futbollit, por këtë e ke dëshmuar në nivel klubesh. Me kombëtaren braziliane, deri tani, nuk e ke treguar këtë”, deklaroi ish-sulmuesi.

Romario iu drejtua edhe presidentit të Federatës Braziliane të Futbollit, Samir Xaud, duke i kërkuar të marrë një vendim për të ardhmen e trajnerit.

“Nuk mund të bëjmë shaka me fanellën e Seleçaos. Nuk mund të rrezikojmë të humbasim një tjetër Botëror. Koha për të vepruar është tani”, u shpreh ai.

Kritikat vijnë në një moment delikat për Brazilin, që synon të ndërtojë një skuadër konkurruese për Kupën e Botës. Për Romarion, ndryshimet në drejtimin e kombëtares nuk mund të presin më.

Standings provided by Sofascore
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zelensky: Kapaciteti rus i përpunimit të naftës është reduktuar me mbi 55%

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se kapaciteti i Rusisë për përpunimin e naftës është reduktuar me më shumë se 55% si pasojë e sanksioneve dhe...
08:24 | 16/11/2026

Oligarkët rusë mendojnë për epokën pas Putinit, tre skenarët për të ardhmen e vendit

Një Rusi pa Vladimir Putin po fillon të imagjinohet nga disa prej biznesmenëve më të pasur të vendit, të cilët, pavarësisht pasurisë së tyre miliardëshe,...
08:09 | 16/11/2026

Nga polic në “Kumbarin” e karteleve meksikane, vdes në burg “Shefi i bosëve”

Miguel Angel Felix Gallardo, një nga bosët më famëkeq të drogës në historinë e Meksikës, ka ndërruar jetë të dielën, më 15 nëntor, në moshën...
08:03 | 16/11/2026