Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Target”, duke vënë në pranga një 23-vjeçar të shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkëautor në vrasjen e një shtetasi në vitin 2023, në fshatin Hot i Ri. Në të njëjtin automjet me të udhëtonte edhe një 26-vjeçar, i cili u arrestua në flagrancë për përkrahje të autorit të krimit dhe veprimtari në fushën e narkotikëve. Në pranga kanë rënë shtetasit Luçian Mëhilli, 23 vjeç, dhe Kristjan Çarkaj, 26 vjeç, të dy banues në Shkodër. Ata u kapën në aksin rrugor “Shkodër–Prekal”, teksa lëviznin me një automjet tip “Opel”.
23-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ai dyshohet se, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasjen e shtetasit V. F., më 21 shtator 2023, në fshatin Hot i Ri.
Ndërkohë, 26-vjeçari Kristjan Çarkaj akuzohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesën e 23-vjeçarit, policia gjeti sasi të dyshuara lëndësh narkotike cannabis sativa dhe kokainë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti me të cilin udhëtonin dy të arrestuarit dhe dy telefona celularë.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
