VIDEO/ Ronaldinho rikthehet pas 11 vitesh në futbollin profesionist, dhuron spektakël dhe asiston në fitoren e Ravenna-s

VIDEO/ Ronaldinho rikthehet pas 11 vitesh në futbollin profesionist, dhuron spektakël dhe asiston në fitoren e Ravenna-s

08:55, 16/11/2026

Ronaldinho ka treguar se klasi nuk njeh moshë. Legjenda braziliane është rikthyer në futbollin profesionist pas 11 vitesh, duke zbritur në fushë me fanellën e Ravenna-s në kategorinë e tretë italiane, Serie C. Në moshën 46-vjeçare, ish-ylli i Barcelonës dhe Milanit ka dhuruar momente të bukura dhe ka qenë protagonist në fitoren 2-0 ndaj Forli-t.

Ronaldinho u aktivizua si titullar dhe ishte pjesë e aksionit që solli golin e parë të ndeshjes. Pas një pasimi të shpejtë të brazilianit, topi përfundoi te Giuli Donati, i cili realizoi një gol të bukur për të kaluar Ravenna-n në avantazh.

Edhe pse në pjesën e parë nuk pati shumë lëvizshmëri, sa herë që kishte topin në këmbë, braziliani tregonte se cilësia teknike mbetet ende një nga armët e tij më të forta. Ai mori përsipër edhe ekzekutimin e goditjeve standarde dhe ishte shumë pranë një asisti direkt nga këndi, por goditja me kokë pas krosimit të tij të saktë u ndal nga traversa.

Paraqitja e fituesit të Topit të Artë në vitin 2005 ngjalli entuziazëm te tifozët, të cilët vlerësuan aftësitë e tij pavarësisht moshës. Në rrjetet sociale pati komente të shumta, ku spikatën shprehje si “Klasi është i përjetshëm” dhe “Ronaldinho e ka ende magjinë”.


Ronaldinho all actions vs. Forlì
by
u/ZerconFlagpoleSitter in
soccer

Aventura e tij zgjati vetëm 45 minuta, pasi u zëvendësua në pushimin mes pjesëve. Gjatë kësaj kohe, braziliani realizoi me sukses 81 për qind të pasimeve dhe regjistroi katër pasime në zonën sulmuese të fushës.

Pas ndeshjes, Ronaldinho la të hapur mundësinë për t'u rikthyer sërish në fushë, nëse klubi do të ketë nevojë për të.

“Kaloi shumë shpejt, ashtu siç ka qenë gjithmonë futbolli për mua. A ishte kjo ndeshja ime e fundit? Nuk e di. Nëse presidenti vazhdon të më telefonojë, do të rikthehem! Është gjithmonë kënaqësi. I thashë presidentit se, nëse ka nevojë për mua, do të jem këtu. Ishte e mrekullueshme të isha këtu, të luaja dhe të përjetoja sërish atmosferën e dhomave të zhveshjes. Futbolli ka qenë gjithmonë gjëja më e bukur në jetën time”, deklaroi ai për Sky Sport Italia.

Rikthimi i Ronaldinhos u bë edhe më i veçantë pasi Simone Rabbi shënoi golin e dytë pas pushimit, duke vulosur fitoren e Ravenna-s dhe duke i dhuruar brazilianit një debutim fitues në këtë aventurë.

Ronaldinho u tërhoq nga futbolli profesionist në vitin 2015, pas eksperiencës me Fluminense-n. Tashmë ai ka edhe një objektiv simbolik: të realizojë golin e 300-të në karrierën e tij. Braziliani numëron 299 gola në nivel profesionist dhe dëshiron ta mbyllë këtë kapitull me një shifër të rrumbullakët.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco