Një grua me inicialet B.H. ka vdekur gjatë rrugës për në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi dyshohet se i është përkeqësuar gjendja shëndetësore derisa po intervistohej nga zyrtarët policorë.
Sipas burimeve të Dukagjinit brenda Policisë në Prizren, rasti ka ndodhur rreth orës 01:32, kur gruaja derisa po intervistohej nga njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHIN), i ishte përkeqësuar gjendja shëndetsore.
Pas kërkesës për intervenimin e ekipit të urgjencës dhe dhënies së trajtimit fillestar, ajo është nisur drejt Spitalit Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor, por ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
Sipas të njëjtave burime, gruaja e lindur në vitin 2000 ishte arrestuar në kufi së bashku me një person tjetër të gjinisë mashkullore, të cilit i ishin gjetur substanca narkotike. Dyshohet se edhe gruaja kishte gëlltitur një substancë të dyshuar narkotike.
Për rastin janë njoftuar njësitë e hetimeve të stacionit dhe ato rajonale, si dhe prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit.
