Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për parashkrimin e dënimit me dy vite burg, të dhënë ndaj tij për veprat penale që lidhen me fshehjen dhe mosdeklarimin e pasurisë.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Etleva Deda, ndërsa SPAK, i përfaqësuar nga prokurorja Enkeleda Millonai, u shpreh kundër kërkesës së ish-kryeprokurorit. Llalla u përfaqësua në seancë nga avokati Sokol Hazizaj.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm është dënuar me dy vite burg për fshehje dhe mosdeklarim pasurie, por vendimi nuk është ekzekutuar, pasi ai u largua nga Shqipëria.
Përmes kërkesës së depozituar në Gjykatën e Posaçme, Llalla kërkoi pushimin e çështjes, duke pretenduar se dënimi ndaj tij ishte parashkruar.