Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Target”, në kuadër të të cilit është kapur dhe ndaluar një 23-vjeçar i shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkautor në vrasjen e një shtetasi në vitin 2023, në fshatin Hot i Ri.
Në pranga ka rënë edhe një 26-vjeçar, i cili udhëtonte në të njëjtin automjet me të riun e kërkuar. Ai dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe prodhim e shitje të narkotikëve.
Sipas njoftimit të Policisë, 23-vjeçari banues në Shkodër, ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ai dyshohet se, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, ka vrarë një shtetas, më 21 shtator 2023, në fshatin Hot i Ri.
Ndërkohë, 26-vjeçari gjithashtu banues në Shkodër, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Dy të rinjtë u lokalizuan dhe u kapën në aksin rrugor “Shkodër–Prekal”, teksa udhëtonin me një automjet tip “Opel”.
Gjatë kontrollit fizik dhe atij të banesës së 23-vjeçarit, policia gjeti sasi të dyshuara lëndësh narkotike cannabis sativa dhe kokainë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu automjeti dhe dy telefona celularë.

