Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka deklaruar se është e vështirë të ketë optimizëm për përfundimin e luftës në Ukrainë, ndërsa ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte.
Pas takimit me liderët e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), në Manila, Guterres foli për konfliktet që po shkaktojnë vuajtje të mëdha njerëzore në mbarë botën, duke përmendur Gazën, Jemenin, Lindjen e Mesme, Ukrainën dhe Sudanin.
Duke u ndalur te lufta në Ukrainë, kreu i OKB-së u shpreh se kohëzgjatja e konfliktit e bën të vështirë të shpresohet për një zgjidhje të afërt.
“Për të qenë i sinqertë, është e vështirë të jesh optimist kur përballesh me një situatë që tashmë ka zgjatur prej gati pesë vitesh”, deklaroi Guterres.
Ai theksoi se objektivi duhet të jetë arritja e një armëpushimi të menjëhershëm dhe pa kushte, i cili do të hapte rrugën për një proces paqeje.
Sipas Guterres, çdo marrëveshje duhet të garantojë respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Ndërkohë, javën e kaluar, zyrtarë rusë dhe ukrainas zhvilluan në Abu Dabi bisedimet e para të paqes pas tetë muajsh, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, nga takimi nuk u bë i ditur ndonjë përparim i rëndësishëm drejt një marrëveshjeje për përfundimin e luftës.
