Kombëtarja shqiptare regjistroi një rezultat fantastik mbrëmjen e së dielës teksa arriti të mposhtë Bjellorusinë 2-0 falë një loje bindëse dhe të vulosë përfundimisht vendin e parë në grupin C1 të Nations League.
Ishte ky një rezultat që i jep mundësinë kuqezinjve të ngjiten në Ligën B dhe të sigurojnë vazon e tretë për shortin e kualifikueseve.
Por një meritë të madhe për këtë arritje ka edhe trajneri Maran, që pas një starti të dobët në aventurën e tij të re me kuqezinjtë me 2 humbje në ndeshje miqësore, diti të kthejë situatën në favor dhe rezultatet i dhanë mëse të drejtë. Në përfundim të ndeshjes me Bjellorusinë, Maran i kishte disa fjalë zemre për futbollistët dhe stafin teknik të tij.
‘Ata që e duan këtë fanellë, vetëm mund të ndihen krenarë për veten, e përjetuam shkëlqyeshëm këtë aventurë, ishte ashtu siç duhet të ishte. Ua kisha thënë para ndeshjes, e meritonim të ishim këtu dhe t’ua jepnim këtë gëzim tifozëve tanë’-ishin fjalët e thëna nga Maran në drejtim të futbollistëve në fushën e lojës menjëherë pas përfundimit të kësaj sfide.










